Kampionët startuan fazën përgatitore

Shkëndija sot kishte grumbullimin e parë duke nisur fazën përgatitore para paraqitjes në eliminatoret e Champions League. Fillimisht ekipi do të punojë në Tetovë, ndërsa faza kryesore ku do të luhen edhe tre takime kontrolluese do të zhvillohet në Slloveni prej 20 qershor deri më 2 korrik.

 

Përfundon pushimi 17-të ditor i kuqezinjëve, pasi sot ekipi kishte grumbullimin e parë për të shënuar start të përgatitjeve verore. Në atmosferë të shkëlqyeshme pas sezonit të kaluar historik ku Shkëndija fitoi kampionatin dhe Kupën, futbollistët duken të determinuar për të vazhduar të kërkojnë sfida të reja fillimisht në eliminatoret e Champions League dhe më pas edhe në sezonin e ri të garave vendore.

Ashtu si në vitet e kaluara edhe tani në ditët e para futbollistët do të kryejnë matjet e nevojshme parasezonale për të vlerësuar gjendjen momentale të secilit, për të ndjekur më pas në vazhdimësi progresin që do të arrihet gjatë fazës përgatitore. Të hënën dhe të martën ekipi i ndarë në dy grupe do të kryejë testimet mjekësore në një ordinancë profesionale në Prishtinë, ndërsa nga e mërkura nis puna me nga dy seanca stërvitore në ditë. E premtja parashihet ditë e lirë për shkak të festës së Bajramit, ndërsa nga e shtuna pritet ngritja e tempos dhe ngarkesës në stërvitje. Prej 20 qershor deri më 2 korrik ekipi do të qëndrojë në Rogashka Sllatina të Sllovenisë ku do të zhvillohet faza kryesore përgatitore, ndërsa janë paraparë tre deri katër ndeshje kontrolluese.

Shkëndija më 19 qershor do të mësojë emrin e rivalit me të cilin do të përballet në xhiron e parë të eliminatoreve të UEFA Champions League.

Share Now

Related Post