Xhiroja e 21: Shkëndija-A.Pandev

No image

Për herë të dytë në histori Shkëndija do të presë Akademia Pandevin (të dielën ora 14:00) në Tetovë në takimin e tretë zyrtar mes veti. Skuadra nga Strumica zhvillon sezonin e parë në elitë, ndërsa kuqezinjtë kërkojnë tre pikë për të mbajtur distancën në krye të renditjes.

E diela sjell ndeshje të re kampionale për kuqezinjtë në vazhdimin e rrugëtimit drejt titullit të kampionit. Akademia Pandev do të jetë rival i rradhës në kuadër të xhiros së 21 në LPFM. Kjo do të jetë hera e tretë që dy ekipet përballen mes veti, ndërsa në dy takimet paraprake të këtij sezoni secila skuadër fitoi ndeshjen si vendas. Shkëndija që po zhvillon sezon të shkëlqyeshëm, këtë kampanjë është mundur vetëm dy herë dhe njëra prej disfatave ishte pikërisht nga Akademia Pandev në Strumicë. Kuqezinjtë ishin të pafat në atë ndrshje kur pas negativës 2:0 u kthyen të barazojnë në 2:2, por duke sulmuar me gjithë forcat për të fituar takimin në fund pranuan gol për humbje 3:2. Tani është koha për të treguar se ajo humbje ishte vetëm ditë e keqe dhe objektivi i Shkëndijës mbeten tre pikët. Akademia Pandevi është befasia e këtij sezoni debutues në elitë, duke qëndruar pranë kreut, mirëpo nuk kanë nisur mirë pranverën pasi u mundën 5:2 nga Shkupi dhe barazuan pa gola si vendas me ekipin e fundit në renditje, Skopje. Tanët kthehen të luajnë në Tetovë pas dy transfertave në kryeqendër kur fundjavën e shkuar fituan 0:3 Shkupin në kampionat, ndërsa në mesjavë barazuan 1:1 me Vardarin në Kupë.

Me atmosferë shumë pozitive dhe optimiste futbollistët presin të shfaqin vazhdimësi në lojë dhe rezultate, ndërsa këtë e transmeton mbrojtësi i ardhur në janar Mevlan Adili, që shpejt ka gjetur vendin e tij në ekip.

Trajneri Osmani nuk ka probleme me lëndime apo pezullime dhe në shërbim do të ketë gjithë futbollistët, përjshtuar Arbin Zejnullain që ende nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi. Formacioni do të vendoset para fillimit të ndeshjes, ndërsa nuk pritet ndonjë ndryshim i madh në përbërje dhe në qasjen ndaj lojës krahasuar me takimet paraprake.

Përballja Shkëndija-Akademia Pandev luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 14:00.