Xhiroja e 12-të: Akademia Pandev-Shkëndija

No image

Shkëndija rrikthehet në Strumicë, ku shkëlqeu gjithë verën në eliminatoret e Europa League. Kuqezinjtë tani kërkojnë pikët e rradhës në kampionat kur si mysafirë përballen me Akademia Pandevin. Duke zhvilluar verën e shkuar 3 ndeshje në eliminatoret e Europa League, pritet që ekipi mos ndjehet si mysafir në këtë fushë.

Qyteti i Strumicës sërish do të ketë mundësinë të presë Shkëndijën kësaj rradhe në një ndeshje të vlefshme për elitën e futbollit vendor, pas aventurës së bukur europiane që kuqezinjtë realizuan duke u paraqitur pikërisht në këtë qytet. Duke deklasuar si vendas në stadiumin “Mlladost” në Strumicë ekipe si Dacia e Moldavisë, HJK Helsinki nga Finlanda dhe Trakai i Lituanisë në eliminatoret e UEFA Europa League, kuqezinjtë fituan simpatinë e publikut në Strumicë. Tani skuadra jonë rrikthehet në këtë fushë ku tani do të luajnë si mysafire  e Akademia Pandevit në takimin e vlefshëm për xhiron e 12-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. Shkëndija vazhdon të shikojë përpara dhe tani si lidere udhëton drejt Strumicës për tu përballur me befasinë më të mirë të këtij sezoni, Akademia Pandev. Ndonëse debutes në Ligën e Parë, strumicasit po barten mirë deri tani dhe për momentin qëndrojnë në pozitën e tretë në renditje. Apetitet e tyre janë rritur dhe kërkojnë të sigurojnë pjesëmarrje në Kupat e Europës, që nënkupton se kuqezinjtë në Strumicë i pret detyrë e vështirë përballë një rivali të motivuar. Mirëpo këto janë dëshirat e rivalit, ndërsa Shkëndija ka planin e vet për realizimin e të cilit është duke u punuar me përkushtim maksimal. Tre pikët janë detyrim në çdo takim për kuqezinjtë që synojnë të ruajnë pozitën e parë në renditje në rrugën drejt titullit të kampionit. Ekipi po ec mirë, humbjes së parë sezonale i’u përgjigj me kualifikim në çerekfinale në Kupën e Maqedonisë dhe fitore bindëse kundër Shkupit në kampionat. Kjo ka kthyer atmosferën në skuadër dhe tani me optimizëm pritet takimi me Akademia Pandevin. Përballjen e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave e fitoi Shkëndija, kur në start të këtij sezoni në Tetovë sfida përfundonte 2:1 për kuqezinjtë.

Mesfushori Armend Alimi beson se kuqezinjtë në Strumicë do të kërkojnë  triumfin e rradhës dhe deri te i njejti mund të arrihet vetëm me qasje serioze dhe maksimale nga të gjithë aktorët. 

 Skuadra të martën pas dite zhvilloi seancën e fundit stërvitore në Tetovë, pas çka udhëtoi drejt Strumicës ku do të pritet ndeshja e nesërme. Stafi teknik me vete ka marrë gjithë futbollistët, Junior tani më ka nisur të ushtrojë por aktivizimi i tij eventual do të vendoset para fillimit të takimit në koordinim me raportin përfundimtar të ekipit mjekësor.

Takimi Akademia Pandev-Shkëndija luhet të mërkurën në stadiumin “Mlladost” në Strumicë, me fillim në orën 14:30. ​