Trajneri Qatip Osmani flet për fazën përgatitore

No image

Shkëndija hyn në pjesën përfundimtare të fazës përgatitore në Antalia të Turqisë dhe kur kanë mbetur edhe dy javë deri në fillim të gjysmësezonit pranveror stafi teknik planifikon gradualisht uljen e intensitetit të ngarkesave, derisa përmes dy ndeshjeve të mbetura kontrolluese (me Dinamo Kievin më 6 shkurt dhe Valmerian më 9 shkurt) do të kërkohet kristalizimi i formacionit ideal. Ekipin e presin dy teste serioze para kthimit në Tetovë, ndërsa për pjesën e deritashme të fazës përgatitore ka folur shefi i stafit teknik Qatip Osmani. 

Si e vlerëson pjesën e deritashme të fazës përgatitore?

Qatip Osmani: “Përgatitjet janë pjesa më e lodhshme në futboll ku qëllimi është që ekipi sa më mirë të përgatitet për kampionatin që e pret. Deri tash mendoj se intensiteti i punës ka qenë i lartë dhe mendoj se deri diku i’a kemi arritur qëllimit. Sigurisht se ka edhe 15-të ditë deri në fillimin e kampionatit dhe në periudhën që pason gradualisht do të ulet intensiteti i punës. Sa i përket bilansit shëndetësor, përveç Almir Rexhepit, i cili u lëndua në Tetovë nuk kemi pasur ndonjë dëmtim serioz. Lëndime të lehta janë paraqitur, që është shumë normale në këtë fazë për shkak të lodhjes, por mendoj se deri në fillimin e kampionatit do të jenë të gatshëm të gjithë futbollistët që i kemi në disponim.” 

Realisht 6 lojtarë të ri në mes të sezonit nuk është pak! Si shkon përshtatja e lojtarëve të ri edhe pse Totre e Qaka kthehen në ambient të njohur?

Qatip Osmani: “Sigurisht se nuk janë pak 6 lojtarë, por megjithatë ne si staf teknik bashkë me lojtarët jemi munduar që futbollistëve që kanë ardhur t’u ndihmojmë sa më shpejtë të ambientohen në taborin tonë. Edhe pse për ndonjë lojtar ambientimi shkon më shpejtë, për ndonjë tjetër duhet të kemi edhe pak durim. Por, megjithatë mendoj se disa lojtarë edhe tash me ndeshjet e treguara në testet, me sjelljen dhe punën që e kanë bërë kanë treguar se do të jenë përforcim për ekipin.”

Për dallim nga shumë klube që kanë zgjedhur me kujdes kundërshtarët për ndeshje kontrolluese, Shkëndija ka shkuar në skuadra tepër cilësore. A përfitojmë nga ky fakt dhe si e ke parë ekipin në takimet e deritashme?

Qatip Osmani“Po mendoj se Shkëndija përfiton me këtë fakt sepse çdo herë zgjedh kundërshtarë më të mirë sepse edhe intensiteti i lojave me kundërshtarë të fortë është tjetër. Megjithatë, sa i përket punës që e bëjmë paralelisht me ndeshjet kontrolluese, intensitetin nuk e kemi ulur aspak. Fakti që kemi kundërshtarë më të fortë, na jep një pasqyrë më të realtë sa i përket ekipit dhe për këtë arsye Shkëndija, jo tani se unë jam trajner, por edhe përpara çdo herë ka tentuar të luajë me kundërshtarë më të fortë. Qëllimi sigurisht është intensiteti më i lartë i lojës.”

Pasojnë edhe dy ndeshje të forta me Dinamo Kievim dhe Valmeiran. Do të kristalizohet formacioni startues në këto ndeshje apo do vazhdojnë shans të marrin gjithë futbollistët?

Qatip Osmani“Deri tash në këto ndeshje që kemi zhvilluar u kemi dhënë rast të gjithë futbollistëve. Kemi luajtur me dy ekipe të kombinuara dhe sigurisht se tani është koha të provohet me ekipin që mendojmë se do të startojë në kampionat. Ndeshjen e nesërme me Dinamo Kievin sigurisht se do ta nisin futbollistët për të cilët mendojmë se momentalisht janë më të gatshëm. A do të jetë ky formacioni final mendoj se ende është herët të thuhet, por shumë ndryshime sa i përket formacionit nuk do të ketë sa i përket formacionit që do të paraqitet nesër dhe atij me Valmeirën. Kampionati është tjetër gjë, thash kemi kohë edhe dy javë. Mund të ndodhin sigurisht edhe gjëra që nuk mund t’i parashikojmë para kohe, flas për dy ndeshjet që na presin. Mund të del në sipërfaqe ndonjë lojtar të cilin momentalisht mbase nuk e kemi në plan të parë, dy ndeshjet kontrolluese ndoshta nuk mund të sjellin ndryshime të mëdha, por sigurisht për 2-3 pozicione mendoj se mund të ndodh dikush të na ndryshojë mendimin përmes paraqitjeve në këto takime.”

Edhe pse ka akoma punë për tu bërë, mendon se Shkëndija e gatshme do ta presë gjysmësezonin pranveror?Qatip Osmani“Sigurisht se mendoj se do të jemi të gatshëm deri në start të sezonit. Vetëm shpresoj mos të na ndjekin lëndime të cilat edhe në kohën para kur kam qenë këtu na kanë ndodhur para kampionatit lëndime të cilat më pas na kanë kushtuar shumë. Të shpresojmë që të gjithë të jenë shëndosh e mirë dhe pastaj jo që besoj, por jam i sigurtë se Shkëndija e gatshme do ta presë kampionatin.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME