
Kuqezinjtë fitojnë ndeshjen kontrolluese me Arsimi e Çegranit, si test i fundit para startit të sezonit të ri fundjavën e ardhshme.
Shkëndija pasditën e sotme luajti takim kontrollues me anëtarin e Ligës së Dytë, Arsimin e Çegranit, si përgatitje e fundit për fillimin e edicionit të ri në elitën e futbollit vendor. Kuqezinjtë fituan me shifrat 5:0 një duel të dominuar nga tanët, por me një Arsim stabil dhe simpatik që besohet të jetë ekip konkurent në sezonin e ri në kategorinë ku garon.
Pjesa e parë solli vetëm një gol, kur Elezi shënoi në minutën e katërt pas një rëmuje në zonën e Arsimit.
Në start të pjesës së dytë Zahov e Maksimov zunë vendet e Taleskit dhe Shalës, derisa pikërisht Maksimov do të shfaqej me dy super gola. I vendosur të luajë si sulmues krahu, Metod Maksimov solli dy predha, një me të djathtën dhe një me të majtën që mundën portierin Islami dhe çuan shifrat në 3:0. Endrit Krasniqi solli gjithashtu një super goditje që nuk i la zgjidhje portierit Islami për 4:0, derisa ai (Elezi) që hapi serinë e golave edhe e mbylli, kur me realizimin e dytë personal vulosi rezultatin 5:0.
SHKËNDIJA- ARSIMI 5:0 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Golashënues: Elezi 4’ dhe 80’, Maksimov 59’ dhe 71’, Krasniqi 74’ (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Taleski, Limani, Cake, Adili, Rexhepi, Qaka, Ramadani (c), Çinari, Krasniqi, Shala, Elezi.
Luajtën edhe: Zahov, Maksimov, Nuhija, Jakupi, Maliqi, Velija.
Trajner: Ardian Nuhiu
