Teste me Bad Radkersburg, Inter Zapreshiq dhe Maribor

No image

Shkëndija të martën në orën 20:00 do të zhvillojë ndeshjen e parë kontrolluese kundër ekipit austriak Bad Radkersburg, në kuadër të përgatitjeve që janë duke u zhvilluar në Slloveni. Takimi luhet në Austri.

“Kuqezinjtë” vazhdojnë përgatitjet verore në Slloveni, ndërsa sipas plan-programit të hartuar paraprakisht mes tjerash do të zhvillojnë edhe tre ndeshje kontrolluese. Me kërkesë të stafit teknik përzgjedhja e kundërshtarëve është bërë sipas nevojës së skuadrës bazuar në planin përgatitor për ngritje graduale të formës dhe ngarkesës së futbollistëve. Për këtë arsye në drejtim të nivelizimit të formës janë caktuar rivalët që do të testojnë Shkëndijën, ndërsa njëkohësisht përmes këtyre përballjeve ekipi do të përgatisë lojën për pjesëmarrjen në eliminatoret e Liga Evropës.

Duke pasur parasysh se ekipi për momentin është në fazën e hershme të fazës përgatitore, rivali i parë vjen nga ligat rajonale të Austrisë, Fc Bad Radkersburg me të cilët Shkëndija do të përballet të martën (13 qershor) në Austri. Ndeshja e dytë do të zhvillohet më 17 qershor përballë skuadrës së elistës së futbollit kroat, Inter Zapreshiq. Përballja e tretë që do të jetë edhe si test përfundimtar para paraqitjeve në eliminatoret e Liga Evropës është caktuar të luhet më 20 qershor kundër kampionit të shumëfishtë të Sllovenisë dhe pjesëmarrës i rregullt viteve të fundit në grupet e Ligës së Kampionëve dhe Liga Evropës, Mariborit.