Press konferencë para ndeshjes Daçia-Shkëndija

No image

“Kuqezinjtë” të vetëdijshëm për epërsinë 3:0 nga ndeshja e parë reflektojnë optimizëm para ndeshjes së kthimit me Daçian të enjten në Kishinjev. Trajneri Osmani dhe kapiteni Hasani flasin me respekt para ndeshjes, duke kërkuar tjetër paraqitje pozitive.

Shkëndija nuk ndryshon formulën dhe në Kishinau të Moldavisë kërkon të luajë me “recetën’ e njëjtë si të enjten e kaluar në Strumicë. Shefi i stafit teknik Qatip Osmani dhe kapiteni Ferhan Hasani kanë folur para mediave në konferencën për shtyp, duke potencuar se do të kërkojnë të përsërisim performansën e ndeshjes së parë.

“Ne jemi përgatitur maksimalisht që të përsërisim lojën si në Strumicë. E dijmë se asgjë ende nuk është e kryer edhe pse kemi rezultat të mirë. Por me plot seriozitet do të hyjmë edhe në ndeshjen e nesërme. Kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe do të dalim në fushë për të dhënë më të mirën në funksion të arritjes së rezultatit të dëshiruar”, u shpreh trajneri Qatip Osmani para mediave moldave.

“Pas lojës së parë kur bëmë lojë shumë të mirë dhe rezultatit pozitiv këtu, mendojmë se ende asgjë s’ka mbaruar. Kemi ardhur këtu për të përsëritur atë ndeshje dhe të shkojmë në raundin tjetër”, deklaroi kapiteni Ferhan Hasani.

Pas konferencës për shtyp futbollistët sonte do të zhvillojnë seancën e fundit dhe zyrtare stërvitore në stadiumin e Daçias, “Speia” ku të enjten në orën 16:00 (17:00 sipas kohës lokale) do të zhvillohet ndeshja e kthimit në kuadër të raundit të parë kualifikues të Liga Evropës.