Press: Shkëndija beson të hyjë në play-off

No image

Përkundër negativës 2:1 nga ndeshja e parë me Trakain e Lituanisë, të gjithë në KF Shkëndija besojnë se mund të përmbysin rezultatin dhe për të dytin vit me rradhë të prekin play-offin e UEFA Europa League. Optimizmin e ekipit në konferencën për shtyp e reflektuan trajneri Osmani dhe kapiteni Hasani.  

 

Shefi i stafit teknik Qatip Osmani dhe kapiteni Ferhan Hasani kanë mbajtur konferencën e 6-të për shtyp në eliminatoret e sivjetshme të UEFA Europa League, ndërsa në bazë të disponimit në prononcimin e tyre, duket se besojnë në vazhdim të qëndrimit në skenën ndërkombëtare. Shkëndija të enjten në Strumicë pret Trakain e Lituanisë në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë eliminator të UEFA Europa League, ndërsa të gjithë në kampin “kuqezi” besojnë se janë të denjë për të përmbysur negativën 2:1 nga ndeshja e parë e luajtur javën e shkuar në Vilnius.

“Gjatë javës së kaluar kemi analizuar ndeshjen e parë me Trakain që zhvilluam, besoj se gabimet që bëmë në atë ndeshje me punën e bërë kemi arritur t’i eliminojmë dhe mendoj se të gatshëm presim ndeshjen e nesërme me Trakain. Kemi rezultat aktiv që na lejon të besojmë në kualifikim në play off, por jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë e lehtë. Kemi mungesa të rëndësishme në formacion, Vujçiç, Junior dhe Cuculi janë lojtarë standard, por besoj se ata që do të hyjnë në fushë për t’i zëvendësuar sigurisht se posedojnë kualitet dhe me punën e tyre shpresoj të bëjnë mos ndjehen shumë mungesat. Na pret ndeshje e vështirë me një kundërshtar që sigurisht vjen me llogaritë e veta për kualifikim, por mendoj se Shkëndija në këtë moment është më kualitative dhe do të arrijë të kalojë në fazën e play-offit”, deklaroi trajneri Qatip Osmani.

Kapiteni Hasani kujton ndeshjen e parë që u dominua në fillim nga “kuqezinjtë” dhe faktin se vetëm mos realizimi i shanseve dhe gabimet në mbrojtje bënë që rezultati të jetë në favor të Trakait, por beson se Shkëndija është e denjë për të përmbysur këtë negativë.

“Hyjmë në këtë ndeshje me disavantazh 2:1 përballë Trakait, rezultat që na jep motiv për të kaluar në raundin tjetër. Si që tha edhe trajneri, nuk do të jetë aspak e lehtë, bëhet fjalë për skuadër të fortë. Mirëpo ne tani më mirë e njohim kundërshtarin dhe mendoj e besoj se kemi kualitet më të lartë. Nëse bazohemi në ndeshjen që luajtëm në Lituani dhe nëse shikojmë pjesën e parë atje ne kishim dominim për 45 minutat e para dhe pranuam gola me gabimet tona. Pastaj në pjesën e dytë gjithçka ndryshoi me kartonat e kuq. Nga ajo që kemi mundur të shohim, mendoj se realisht jemi ekip më kualitative dhe besoj se ne do të kalojmë këtë raund. Normal nëse arrijmë të bëjmë lojën që kemi mundur ta bëjmë deri tani, shpresoj se do të jemi ne ata që do të kalojmë raundin e tretë dhe do të shkojmë në play-off”, u shpreh kapiteni Ferhan Hasani.

“Kuqezinjtë” sot në orën 17:00 do të realizojnë seancën e fundit stërvitore në stadiumin “Mlladost” në Strumicë, në të cilën stafi teknik do të ushtrojë edhe variantet e fundit tekniko-taktike para përballjes të së enjtes me Trakain.