Shkëndija ka mbyllur edhe një sezon të suksesshëm në elitën e futbollit vendor kur për të dytin vit me rradhë fitojmë titullin e kampionit. Ndeshja e xhiros së fundit (36-të) me Renovën është mbyllur me rezultatin 3:2 për xhepçishtasit që marrin suksesin e parë kundër kuqezinjëve në ndeshjen e katërt të këtij sezoni. Duke siguruar titullin prej katër xhirove, ashtu si në takimet paraprake trajneri Osmani luajti me formacion rezervë përfshi disa lojtarë nga ekipi U19. Shkëndija avansoi e para me golin e Ensar Lumës në minutën e 11-të, ndërsa Renova përmbysi rezultatin në 2:1 me golat e Emran Ramadanit në fund të pjesës së parë (40′ dhe 43′). Në pjesën e dytë Renova çoi rezultatin në 3:1 me golin e Muhamed Useinit në minutën e 77-të, ndërsa rezultatin përfundimtar 3:2 e vendosi Besmir Bojku katër minuta para fundit.
PJESA E PARË
Pas dy tentimeve fillestare të Renovës që nuk sollën ndryshim, kuqezinjtë tentuan portën me Beqirin në minutën e pestë, por topi kontrollohet nga portieri Gjuriq. I njejti futbollist pak më vonë lëshon një të djathtë të fortë që shkon skaj portës. Dominimi në terren solli ndryshim pa kaluar 11-të minuta lojë kur fillimisht Gjuriq ndal të djathtën e fortë të Bojkut, ndërsa në vazhdim të aksionit gjuajtja e Ensar Lumës devijohet nga mbrojtësit kundërshtarë dhe përfundon në rrjetën e Renovës. Bardhekaltërtit shkuan pranë barazimit pak çaste më vonë kur Miovski nuk realizon me kokë nga afërsia. Negativa Renovën e çonte në balotazh dhe kjo situatë detyroi bardhekaltërtit të hidhen në sulm. Muhamed Useini solli dy kanosje të rrezikshme nga distanca, por pa gjetur kuadrantin. Sulmet e kundërshtarit dhanë efekt në harkun kohorë prej tre minutave kur Ramadani me dy gola përmbysi gjithçka. Fillimisht në minutën e 40-të barazoi rezultatin pas një depërtimi individual, ndërsa tre minuta më vonë shënoi për epërsi 2:1 pasi topi i’u kthye para këmbëve nga traversa, pasi paraprakisht Miovski ishte i vetmuar para portës.
PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë nisi me nga një shans për të dyja skuadrat kur u kanosën Beqiri i Shkëndijës dhe Mbella i Renovës, mirëpo në nivel të detyrës ishin portierët Gjuriq dhe Iljazi. Në minutën e 54-t nga loja u largua kapiteni Renovës, Fisnik Nuhiu dhe meqenëse ishte ndeshja e lamtumirës për të gjithë publiku e përshëndeti me duartrokitje frenetike. Albin Ramadani dhe Florent Ramadani në minutën e 64-t zhvilluan aksion perfekt, mirëpo Gjuriq shkurton gëzimin pasi prodhon pritje fantastike. Ndryshimi i rradhës erdhi në minutën e 77-të kur Muhamed Useini i afrohet zonës dhe me goditje precize shënon për 3:1. Kuqezinjtë u përgjigjën katër minuta para fundit kur Bojku godet nga distanca, duke befasuar portierin Gjuriq për rezultat 3:2.
RENOVA-SHKËNDIJA 3:2 (2:1)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 1 000
Arbitër: Albrim Shaqiri
Golashënues: Ramadani 40′ dhe 43′ dhe Useini 77′ (Renova), ndërsa Luma 11′ dhe Bojku 86′ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Ramadani dhe Mustafov (Renova), ndërsa Berisha (Shkëndija)
RENOVA: Gjuriq, Zuka, Sadiki (Fetai 56′), Useini, Kadriu, Nuhi (c) (Mustafov 54′), Ramadani, Gafuri, Mishkovski, Velija, Miovski (Mbella 46′).
Trajner: Nikolla Ilievski
SHKËNDIJA: Iljazi, Sadriu (Alb. Ramadani 58′), Bojku (c), Berisha, Merxhani (Al. Rexhepi 86′), Beqiri, Fl. Ramadani, Rexhepi (Shahini 83′) Çeshmexhiev, Todorovski, Luma.
Trajner: Qatip Osmani