Kuqezinjtë u stërvitën në ‘Lerkendal Stadium’

No image

Futbollistët e Shkëndijës realizuan seancën stërvitore në ‘Lerkendal Stadium’ të Trondheimit ku të enjten nga ora 20:45 luhet ndeshja me Rosenborgun.

Shkëndija ka mbyllur përgatitjet para sfidës së parë të play off-it të UEFA Europa League. Kuqezinjtë sonte zhvilluan seancën stërvitore në ‘Lerkendal Stadium’ që ka kapacitet prej 21 421 ulëseve.

Futbollistët punuan në temperatura shumë më të ulta se ato në Maqedoni, pasi 14°C janë diferencë e madhe me vapën që mbizotëron në vendin tonë. Skuadra reflekton optimizëm dhe gatishmëri për të dhënë më të mirën në kërkim të rezultatit pozitiv në ndeshjen e parë në transfertë, për të pretenduar më pas javën e ardhshme në Shkup kualifikimin në grupet e UEFA Europa League. Përveç Egzon Bejtullait të skualifikuar me tre kartona të verdhë, stafi teknik në dispozivicion ka të gjithë futbollistët dhe në varshmëri me taktikën para ndeshjes do të vendos për formacionin që do të nisë sfidën.

Përballja Rosenborg-Shkëndija luhet të enjten në Trondheim të Norvegjisë me fillim në orën 20:45.

Kundërshtari

Rosenborgu siguroi play offin pasi në raundin e tretë të Europa League eliminuan Cork Cityn e Republikës së Irlandës. Fitores 0:2 në ndeshjen e parë norvegjezët mbrëmë i shtuan triumf bindës 3:0 për të kaluar më tej me rezultat të përgjithshëm 5:0.
Rosenborgu si kampion i Norvegjisë në raundin e parë të Champions League eliminuan kampionin e Islandës, FC Valur. Edhe pse humbën 1:0 takimin e parë si mysafirë, norvegjezët kaluan më tej falë fitores 3:1 në ndeshjen e kthimit. Xhiroja e dytë eliminatore solli rival të vështirë për Rosenborgun që pa veten të mundur 3:1 në transfertën me Celtic-un e Skocisë dhe barazimi pa gola në shtëpi nënkuptonte eliminim nga Champions dhe vazhdim të garave në Europa League, ku si përmendëm më lartë eliminuan Cork Cityn.
Rivali i rradhës i Shkëndijës është rekorder me tituj të fituar në Norvegji. Rosenborgu numëron 25 tituj kampioni, 11-të herë kanë fituar Kupën, ndërsa janë ekipi norvegjez me më shumë ndeshje të luajtura në kupat e europës.
Ndeshjet si vendas Rosenborgu i luan në “Lerkendal Stadion” në Trondhajm me kapacitet prej 21 421 ulëseve, ndërsa lojtari më i njohur është reprezentuesi i Danimarkës, Nicklas Bendtner (ish-lojtar i Arsenalit dhe Juventusit).
Në sezonin aktual në Norvegji pas 19-të xhirove Rosenborgu pozicionohet në vendin e dytë me 40 pikë të tubuara (12 fitore, 4 barazime dhe 3 disfata), një më pak se lideri i renditjes Brann.