Harun Isa: “Ecolog vlerë e madhe e klubit, krenarë për sponsorin që kemi”

No image

Shkëndija ka mbyllur merkaton e janarit me angazhimin e 6 futbollistëve të ri dhe një i kthyer nga huazimi. Kështu, në gjysmëstinorin pranveror me forca të reja do të synohet titulli kampion. Metodi Maksimov, Kamer Qaka, Mustafa Mujezinoviç, Nasko Milev, Erald Çinari, Ennur Totre, si dhe i rikthyeri Almir Rexhepi janë angazhimet e kuqezinjëve që paralel me konkurencën, pritet të ndikojnë edhe në ngritjen e cilësisë në skuadër. 

Drejtori sportiv i Shkëndijës, Harun Isa bashkë me ndihmësit e tij Skender Jonuzi dhe Ibrahim Osmani kanë lënë prapa merkaton e parë prej ardhjes në klub dhe ata besojnë se prurjet e reja do të ndihmojnë ekipin drejt realizimit të synimeve.

…..merkato…..

Harun Isa: “Vlerësoj se kemi bërë punë të kënaqshme, konform nevojave që kishte ekipi. Realisht gjatë pauzës kemi analizuar skuadrën bashkë me stafin teknik, duke vendosur pikat ku duhet të angazhojmë lojtarë të ri, si dhe kush duhet të kërkojë mjedis të ri. Në fund besojmë se jemi kompletuar pikërisht sipas nevojave dhe uroj rezultatet të na japin të drejtë.”

…..thashethemet në media e opinion rreth buxhetit……

Harun Isa: “Shikoni, fjalët e njerëzve dhe spekulimet e mediave nuk do ndalen kurrë, posaçërisht kur bëhet fjalë për një klub si Shkëndija që tërheq vëmendje të madhe në opinion. Mirëpo realiteti është se ne, futbolli i vendit tonë, Tetova, tifozët dhe Shkëndija jemi me fat që kemi një sponsor si Ecolog. Familja Destani janë pasuri për shqiptarët, derisa krahas bizneseve të shumta te të cilat shumë njerëz gjejnë punë dhe mirëqenie ekonomike, ata po bëjnë aq shumë edhe për klubin. Ne në asnjë moment nuk kemi pasur pengesa për transferime, vetëm se kemi bërë një plan për të zgjedhur mirë çdo lëvizje, të marrim futbollistë të ri aty ku kemi nevojë dhe të angazhojmë lojtarë që do t’i ndihmojnë skuadrës të arrijë objektivat. Në fund, ne angazhuam 6-të futbollistë të ri dhe pa asnjë hezitim na u plotësua secila kërkesë që kishim nga drejtuesit. Përfitoj nga rasti për një falemenderim publik për sponsorin për gjithçka që bën për Shkëndijën”.

…..Shkëndija mori ata që dëshiroi në merkato?……

Harun Isa: “Në pjesën më të madhe po! Normal, ka gjëra që s’varen nga ne. Kishim qëllim të marrim futbollistë në të gjitha repartet dhe lojtarët që kemi sjellë janë të analizuar mirë. Sigurisht, jo gjithçka që keni lexuar në media e keni dëgjuar në opinion është e vërtetë. Ju bind se një pjesë e emrave që janë përmendur na janë ofruar vetë përmes agjentëve të ndryshëm dhe më pas në media e thashetheme thuhej se i kërkojmë. Kjo është Shkëndija, gjithmonë paraqet reklamë dhe ne i kuptojmë deri në momentin që jemi kundër keqpërdorimit të emrit të klubit për ngritje të çmimit apo imazhit personal. Lojtarët që i deshtëm i kontaktuam direkt, ofruam konkret atë që klubi e ka vendosur si standard dhe jemi të lumtur që përveç prurjeve të janarit, Shkëndija edhe prej më parë ka ndërtuar një standard të korrektësisë në bashkëpunim.”

…..më të fortë tani se në vjeshtë?…..

Harun Isa: “Analiza jonë dhe lëvizjet e bëra janë në shërbim të idesë dhe planit që në pranverë të kemi një Shkëndijë më të fortë. Normal koha do të tregojë nëse kemi të drejtë. Por sinjalet e para janë pozitive. Thash, bashkarisht kemi analizuar situatën, fatkeqësisht me disa lojtarë duhej të ndahemi. Çdo i larguar nuk don të thotë se nuk kishte cilësi. Thjesht, o nuk gjenin veten në formacion, ose planet e stafit teknik dhe të klubit për të ardhmen nuk përputheshin. Klubi e ka bërë, por ja i falemenderoj edhe një herë publikisht për kontributin e dhënë në Shkëndijë e ju uroj gjitha të mirat në të ardhmen. Prurjet janë lojtarë cilësorë, të analizuar dhe besojmë të japin atë çka pritet nga ata. Është herët për të nxjerë konkluzione, mirëpo nga ajo që shohim në seancat stërvitore, si lojtarët e ri, ashtu edhe ata që kishim në klub po ndjejnë prezencën e konkurencës dhe kjo sigurisht se do t’i shërbejë shumë skuadrës”. 

…..ky ekip i denjë për titullin?…..

Harun Isa“Sigurisht se po. Jam i bindur se kjo Shkëndijë është e denjë për titull. Mirëpo nese do të dalim kampion në fund të këtij sezoni nuk varet vetëm nga ne! Fatkeqësisht në vjeshtë janë humbur shumë pikë dhe kemi mbetur mbrapa rivalëve. Gjithsesi, në pranverë me gjitha kapacitetet do të kërkojmë të kompensojmë negativën dhe fundi do të tregojë nëse do ja dalim. Respekt për çdo skuadër tjetër, të gjithë punojnë dhe kanë ambiciet e tyre, por nëse ne jemi në nivelin e kërkuar, besoj se mundim çdo rival. Normal, kjo që them unë duhet të konfirmohet në terren dhe duke respektuar secilin e duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje, uroj fundin ta presim aty ku duam të gjithë.”

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME