Një penalti inekzistente në kohën shtesë i mundësoi Pelisterit fitoren 1:0 në ndeshjen e fundit për vitin 2020.
• Shkëndija mundet 0:1 nga Pelisteri në duelin e xhiros së 18 në LPFMV
• Penaltia e paqenë u konvertua në gol nga Maneski në kohën shtesë
• Kuqezinjtë shkojnë me +6 pikë nga rivalët në pauzën dimërore
Kuqezinjtë shkojnë në pushim dimërorë si lider dhe me 6-të pikë më shumë se ndjekësit në renditje Shkupi dhe Makedonija Gj.P. edhe pse diferenca mund të ishte më e madhe nëse llogaritet fakti se të dy rivalët pësuan humbje në fushë të tyre. Pas 17-të ndeshjeve të njëpasnjëshme, për herë të parë në këtë kampanjë Shkëndija nuk arriti të shënojë të paktën një gol, dhe në kushte kur kundërshtari penaltinë e falur e konvertoi në gol me anë të Manevskit, atëherë disfata e parë sezonale ishte e pashmangshme.
Ndeshja nisi me matje të forcave dhe të dyja ekipet vështirë vinin deri te rasti për shënim. Ibraimi kishte dy kanosje prej të cilave njëra u kontrollua nga Talevski, ndërsa tjetra nuk gjeti kuadratin, derisa tentimi i vetëm i miqve në pjesën e parë ishte me mbrojtësin Ileski, mirëpo topi kaloi mbi traversë.
Pjesa e dytë nisi me një tjetër tentim të Ibraimit jashta portës, ndërsa fare pranë golit shkuam pas një aksioni model në minutën e 64-t kur pas harkimit të Paviçit, goditja me kokë e Nafiut ndalet në traversën e Pelisterit. Mysafirët ishin orientuar në mbrojtje pasi i kënaqte barazimi pa gola, ndërsa në kundërsulme kërkonin rast për të befasuar. Ibraimi kishte një tjetër tentim të rrezikshëm kur e majta e dij devijohet në këndore nga portieri Taleski. Dominimi i Shkëndijës krijonte përshtypjen se në çdo moment do të vinte goli, por ndeshja hyri 0:0 në kohën shtesë, ndërsa pikërisht atëherë një kundërsulm që u duk i parrezikshëm dhe kur lojën me dorë të Talevskit e panë edhe lojtarët mysafirë që as ju shkoi mendja të pretendonin për penalti, për habi të të gjithëve arbitri Meçkarovski tregon në pikën e bardhë, ndërsa gjuajtjen nga 11-të metra në gol e kthen Borçe Manevski.
Shkëndija tashmë nuk pati as kohë e as mundësi të paktën të shmangte disfatën dhe në fund tre pikët shkuan në konton e Pelisterit.
SHKËNDIJA – PELISTERI 0:1 (0:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Arbitër: Dimitar Meçkarovski (Shkup)
Golashënues: Manevski 90’+2 (Pelisteri)
SHKËNDIJA: Zahov, Paviç, Bejtullai, Ibraimi, Neziri, Totre (Es Sahal 78’), Alimi, Elezi (Nafiu 55’), Dita, Krivak, Doriev (Zejnullai 86’).
Trajner: Ernest Gjoka
PELISTERI: Taleski, Spirkoski (Ilevski 71’), Boshkovski, Koçoski, Nikollovski, Fazliu, Pejakoviq, Dragarski (c), Televski, Ilieski, Neto (Manevski 72’).
Trajner: Dimitar Kapinkovski