Vazhdojnë përgatitjet për sfidat me Sheriff Tiraspol

No image

Kuqezinjtë me intensitet të shtuar janë duke u përgatitur për përballjen e të martës me Sheriff Tiraspolin e Moldavisë, ndërsa tanimë me grupin është bashkuar përforcimi i fundit Gledi Mici.

Shkëndija vazhdon punën për duelin e parë të raundit të dytë të Champions League të martën në Shkup përballë kampionit të Moldavisë, Sheriff Tiraspol. Pas eliminimit të The New Saintsit vëmendja është kthyer kah duelet e rradhës që sjellin rival shumë më serioz, ndërsa paralel me përgatitjen e lojës në bazë të kundërshtarit stafi teknik lojtarëve u potencon menjanimin e gabimeve të shfaqura në përballjen e fundit në Uells.

Risi në seancat stërvitore tanimë është prania e Gledi Micit, pasi mbrojtësi i majtë është bashkuar me skuadrën dhe ka nisur punën me kuqezinjtë.

Me vrapime të lehta ka nisur edhe Besmir Bojku që lëndoi gjurin gjatë fazës përgatitore në Slloveni, mirëpo ende nuk është riaftësuar 100% dhe mbetet jashta kombinimit për lojë.

Shkëndija të hënën transferohet në Shkup, ku në orën 18:30 në stadiumin “Filipi i Dytë” do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore para përballjes të së martës me Sheriff Tiraspolin.