Qatip Osmani: Titulli i merituar, kjo Shkëndijë mundet më shumë

No image

Shkëndija për herë të tretë në histori shpallet kampione në elitën e futbollit të Maqedonisë. Triumfi 1:0 në transfertën me Rabotniçkin solli trofeun e katërt të kuqezinjëve në tre sezonet e fundit, periudhë gjatë së cilës Shkëndija koleksionon dy tituj në kampionat dhe dy Kupa. Nëse këtyre u shtojmë titullin e vitit 2011 dhe Super Kupën e po të njejtit sezon, kuqezinjtë çojnë në 6 numrin e trofeve në futbollin vendor. Duke shkruar faqe të reja në historinë e klubit, trajneri Qatip Osmani nuk fsheh gëzimin dhe kënaqësinë për ecurinë e këtillë të Shkëndijës.


“Të gjithë jemi shumë të lumtur pas këtij suksesi. Mendoj se kjo ekipë e tregoi edhe këtë sezon se është më e mira në vend dhe kjo skuadër nuk e ka thënë ende fjalën e fundit. Besoj se mundemi më shumë dhe pas këtij titulli qëllim kemi edhe në Europë të bëjmë rezultate sa më të mira”, komenton titullin e tretë të kuqezinjëve trajneri Qatip Osmani, që kthehet të komentojë takimin me Rabotniçkin.
“Ndeshje me iniciativë të lehtë të Shkëndijës. Ne pritëm momentin tonë, pas një pasimi kualitativ të Armendit (Alimit) Totre e shfrytëzoi atë mundësi dhe solli tre pikë. Me këtë fitore ne edhe matematikisht siguruam titullin e kampionit”.

Trajneri Osmani nuk lejon ta sundojë euforia dhe duke vlerësuar punën që është bërë deri tani, kujton se ekipi ka qëllime të reja në të ardhmen dhe të gjithë në klub duhet me përkushtim maksimal të punojnë në arritjen e të njejtave.
“Jemi krenar për këto rezultate që kemi bërë, por nuk duhet të ndalemi këtu pasi mendoj se Shkëndija ka ekip për rezultate edhe më të mira edhe në Kupat e Europës. Të gjithë janë meritor, por meritat më të mëdha janë të futbollistëve që bartën barën më të madhe gjithë kampionatin. Na vjen keq që nuk bëmë rezultat edhe në Kupë, por ky titull kompenson gjithçka dhe si që thash më herët tashmë duhet të kthejmë vëmendjen drejt qëllimeve të reja që na presin në Europë”, përfundoi Osmani.