Preview: Shkëndija vs Vardar

Kuqezinjtë të dielën në terren vendas kundër Vardarit vazhdojnë garat në Ligën e Parë ku kërkohet mbrojtja e titullit të kampionit. Nga ora 14:00 pritet mbështetje e madhe e publikut për të fituar betejën e parë pranverore.

 

Përfundon pauza dimërore dhe të dielën me ndeshjet e xhiros së 19-të shënohet fillimi i gjysmësezonit pranveror i sezonit garues 2018/2019 në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Pas pak më shumë se dy muaj e gjysmë, Shkëndija rikthehet të luajë në stadiumin e qytetit në Tetovë ku do të ndeshet me Vardarin. Kyqezinjtë kanë lënë pas përgatitje shumë cilësore të zhvilluara në disa faza, ndërsa ekipi dha sinjale shumë pozitive në Antalia të Turqisë, ku përveç seancave stërvitore u zhvilluan edhe katër ndeshje kontrolluese me kundërshtarë të fortë. Me Agim Ibraimin në skuadër, si lëvizja më pikante e mekratos dimërore jo vetëm në Shkëndijë, por në gjithë Ligën vendore, trajneri Osmani tashmë ka vendosur për formacionin që do t’i besohet barra në ndeshjen hapëse të gjysmësezonit pranverorë.

 

Të rejat në skuadër

Trajneri Qatip Osmani dhe stafi teknik këtë sezon kanë bërë llogaritë pa shërbimet e Besart Ibraimit që operoi ligamentet edhe pse kthimi i tij pritet të ndodh në fund të kampanjës. Stenio Junior është rikuperuar dhe ngadale pritet të hyjë në rritëm, ndërsa edhe pse punon me grupin sulmuesi Marjan Radeski do të presë edhe pak për t’u kthyer të luajë ndeshje kampionale. Gjithë lojtarët e lartëpërmendur ishin llogaritur se do të mungojnë duke ditur natyrën e lëndimeve të tyre, ndërsa dihej që më parë se ndeshjen me Vardarin do ta humbë mbrojtësi i majtë Gledi Mici i cili ka të grumbulluar pesë kartona të verdhë. Lojtarët tjerë janë të gatshëm për lojë dhe pak orë para ndeshjes trajneri Osmani do të kumtojë formacionin startues.

 

Kundërshtari  

Përballë Shkëndijës do të jetë rivali i rregullt në luftën për titull viteve të fundit. Kuqezinjtë tanë këtë betejë e fituan në mënyrë shumë bindëse sezonin e kaluar, ndërsa kërkohet përsëritje edhe në këtë kampanjë. Për momentin Shkëndija ka pesë pikë më shumë se Vardari dhe kjo ndeshje është mundësi për të rritur diferencën. Edhe pse rezultatet në ndeshjet kontrolluese asnjëherë nuk janë në rend të parë, vlen të ceket se për dallim nga Shkëndija që nuk humbi asnjë takim në këto përgatitje (katër fitore dhe 2 barazime), Vardari nuk arriti të fitojë asnjë ndeshje të vetme, ndërsa u mund 6:1 në testin e fundit nga Akademia Pandev (u luajtën dy pjesë nga 60 minuta). Sa u përket ndeshjeve mes veti, Shkëndija ka krijuar një bilans shumë pozitiv kohëve të fundit dhe nuk njeh disfatën në 6 duelet e fundit mes veti. Në 11-të ndeshjet e fundit në kampionat dhe Kupë, Shkëndija është mundur vetëm dy herë, ndërsa numëron 6 fitore dhe tre barazime. Ndeshja e parë e këtij sezoni në Tetovë u mbyll me barazim 2:2, ndërsa në takimin e dytë në fushë të Vardarit fitonte Shkëndija 2:0.

 

 

Përballja Shkëndija-Vardari në kuadër të xhiros së 19-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 14:00.

 

Share Now

Related Post