PREVIEW : Shkëndija vs Rabotniçki

No image

Kuqezinjtë në mesjavë nisën serinë e ngjeshur prej 8 ndeshjeve në 25 ditë dhe sfida e rradhës është të dielën në Tetovë me Rabotniçkin. Pas pauzës në kampionat skuadra duket e gatshme për të dhënë më të mirën në rrugën drejt kreut.

Shkëndija ka mirëpritur pauzën në kampionat shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare dhe tashmë shikon para për tu përgjigjur me sukses orarit të ngjeshur në periudhën që pason. Kuqezinjtë të mërkurën nisën maratonën që sjell 8 përballje në harkun kohor prej 25 ditëve. Sfida e parë me Kozhufin (fitore 2:0) u kalua me sukses dhe tashmë vëmendja është kthyer kah ndeshja e rradhës nga shtatë që pasojnë, të dielën në Tetovë me Rabotniçkin në kuadër të xhiros së pestë në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë. Shkëndija pas dy barazimeve në start, dy xhirot pasardhëse lidhi dy triumfe duke u renditur në pozitën e tretë me tetë pikë. Tani kërkohet suksesi i rradhës për të vazhduar serinë pozitive që do të çojë ekipin drejt kreut.

Të rejat në skuadër

Nëse pauza kampionale ishte e mirëseardhur për kuqezinjtë, sfida e të mërkurës me Kozhufin ka sjellë disa shqetësime për stafin teknik. Izair Emini dhe Stenio Junior në atë ndeshje u desh të zëvendësohen shkaku i lëndimeve dhe përkundër faktit se nuk bëhet fjalë për diçka serioze ata mbeten në dyshim për sfidën me Rabotniçkin. Te dy pushuan të premten, ndërsa derisa Junior mbetet përfundimisht jashtë, Izo punoi me intensitet të plotë të shtunën por aktivizimi i tij nuk është i sigurtë. Situatë e njejtë edhe me Mevlan Muratin që vazhdon të ndjejë shqetësimin e muskujve të barkut, që përfundimisht e lënë jashta kombinimit për takimin e të dielës. I pezulluar është Konstantin Çeshmexhiev, ndërsa në skuadër janë kthyer Arbin Zejnullai dhe Shefit Shefiti (pas mbylljes së angazhimeve te kombëtarja U21 e Shqipërisë).

Kundërshtari

Rabotniçki në Tetovë vjen si lider i renditjes, ndërsa kuqezinjtë pretendojnë pas ndeshjes t’i zbresin nga ajo pozitë. Ekipi nga Shkupi sezonin e ri e nisi me disfatë 4:3 në fushë të vetë nga Renova, mirëpo në vazhdim rradhitën tre fitore dhe me 9-të pikë mbajnë pozitën e parë me pikë të barabarta me Akademia Pandevin. Shkëndija kohëve të fundit ka bilans shumë pozitiv në duelet me rivalin nga Shkupi, përballë të cilëve nuk njeh humbjen në shtatë takimet e fundit (4 fitore dhe tre barazime, prej të cilëve njëri barazim i fituar me penalti në kuadër të Kupës). Sezonin e kaluar në kampionat Shkëndija fitoi të katër përballjet, madje në njërën prej tyre (17.09.2017 triumf 6:2 në Gjorçe Petrov) shënoi një prej fitoreve më bindëse në historinë e klubit në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë.

Shkëndija-Rabotniçki luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 15:30.