Preview: Sheriff Tiraspol-Shkëndija

No image

Skuadra kuqezi gjendet para një tjetër momenti historik në kupat e Europës pasi të martën kërkon të prek për herë të parë raundin e tretë kualifikues të Champions League. Kuqezinjtë nisin revanshin me Sheriff Tiraspolin me epërsi 1:0 nga ndeshja e parë.

Shkëndija ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen e kthimit të raundit të dytë të eliminatoreve të Champions League. Kuqezinjtë të hënën në mbrëmje u stërvitën në stadiumin “Sheriff Main Arena” ku nesër (e martë) nga ora 20:00 sipas kohës lokale (ora 19:00 në Maqedoni) përballen me 16-të herë kampionët e Moldavisë. Futbollistët patën mundësi të njihen me terrenin e shkëlqyeshëm ku do të kërkohet historia, ndërsa trajneri Osmani mbylli edhe dilemat e fundit para përballjes së dytë me Sheriff Tiraspolin. Skuadra duket e bindur për të dhënë më të mirën në kërkim të kualifikimit, të vetëdijshëm se ndeshja kërkon qasje maksimale dhe se epërsia nga ndeshja e parë nuk garanton asgjë. Pa Radeskin e lënduar dhe Bojkun që ende nuk është rikuperuar në tërësi, lajm i mirë është se për lojë konkuron përforcimi i fundit Valmir Nafiu. Formacioni startues do të vendoset pak orë para fillimit të takimit.

Sheriff Tiraspol-Shkëndija luhet të martën në “Sheriff Main Arena” me fillim në orën 20:00 (ora 19:00 sipas kohës në Maqedoni), ndërsa përkundër tentativave tona deri në këtë moment nuk kemi leje për transmetim direkt.

 

S’njohim eliminimin kur fitojmë pa gol të pranuar

Shkëndija të martën në Tiraspol të Moldavisë zhvillon ndeshjen e 28-të në Kupat e Europës, gjegjësisht të gjashtën në Champions League. Ekipi deri tani ka efekt prej 11-të fitoreve (2 në Champions), pesë barazime dhe 11-të disfatave (3 në Champions).

Kuqezinjtë kanë epërsi 1:0 nga ndeshja e parë dhe një fakt pozitiv që thotë se Shkëndija nuk njeh eliminimin në rastet kur si vendase ka shënuar fitore pa gol të pranuar (deri tani në gjashtë raste), pa marrë parasysh rezultatin në ndeshjen e kthimit.
Kuqezinjtë në vitin 2016 në Shkup mundën 2:0 Krakovian e Polonisë dhe kaluan më tej pasi fituan edhe revanshin 2:1. Në të njejtën kampanjë por në raundin e dytë të eliminatoreve të UEFA Europa League kuqezinjtë fitonin ndeshjen e kthimit 1:0 me Neftchin e Azerbajxhanit, pasi paraprakisht kishin barazuar pa gola në Baku. Më vonë në raundin e tretë Shkëndija mundi 2:0 Mlada Boleslavin e Republikës Çeke dhe kaloi në play-off përkundër humbjes 1:0 në transfertë.

Sezonin e kaluar (2017) në UEFA Europa League kuqezinjtë fitonin 3:0 Dacian e Moldavisë në Strumicë dhe ishin më bindës në transfertë ku triumfuan 4:0. Më vonë në raundin e tretë hynin me negativë 2:1 nga ndeshja e parë në Vilnius të Lituanisë, por fitorja 3:0 ndaj Trakait në Strumicë i dha Shkëndijës për herë të dytë me rradhë kualifikimin në play-off të UEFA Europa League.
Hera e gjashtë dhe e fundit që Shkëndija kalonte më tej në Europë pas fitores pa gol të pranuar në shtëpi ishte këtë verë në kuadër të raundit të parë të eliminatoreve të Champions League kur në Shkup u mund 5:0 The New Saints i Uellsit.

E marta sjell tjetër sfidë për kuqezinjtë që shpresojmë të vazhdojnë traditën në këtë aspekt të statistikës për të materializuar fitoren 1:0 në Shkup me kualifikim në raundin e tretë të Champions League.