PREVIEW | Renova vs Shkëndija

Kuqezinjtë të mërkurën në Tetovë kërkojnë fitoren e dytë me rradhë në kampionat kur në kuadër të xhiros së 6-të përballemi me Renovën.

Shkëndija me vetëbesim të kthyer pret sfidën e mesjavës kundër Renovës, ku kërkohet vazhdimësi në aspekt të fitoreve. Pas startit jo të mirë, kuqezinjtë të shtunën në Tetovë deklasuan 3:0 Rabotniçkin dhe ekipi i drejtuar nga Erhan Selimi tashmë synon hapin e rradhës për të ndërtuar kontinuitet të fitoreve. Ekipi dy ditët e fundit ka punuar në rikuperim fizik dhe përgatitje të lojës për sfidën me rivalin lokal, në një përballje që vlerësohet maksimalisht nga të gjithë.

Të rejat në skuadër
Në atmosferë pozitive dhe bindje për të kërkuar pikë maksimale ekipi ka punuar i kompletuar dhe stafi teknik në disponim ka të gjithë futbollistët. Drejtuesi i skuadrës Erhan Selimi dhe stafi i tij kërkojnë nga skuadra përqendrim maksimal dhe pa eufori të marrin ndeshjet njëra pas tjetrës. Në këtë drejtim gjithë vëmendja është kthyer ka përballja me Renovën ku imperativi mbesin tre pikët. Pa lëndime dhe pezullime, formacioni do të vendoset para fillimit të ndeshjes.

Kundërshtari
Nëse Shkëndija në këtë duel vjen pas triumfit 3:0 ndaj Rabotniçkit, skuadra nga Xhepçishti në këtë sfidë hyn me seri prej dy disfatave me rradhë apo tre ndeshjeve pa fitore. Renova nisi mirë sezonin dhe pas dy fitoreve të para mbajtën përkohësisht kreun e tabelës, ndërsa pas barazimit me Shkupin në xhiron e tretë pasuan dy humbje nga Vardari dhe Akademia Pandev. Kuqezinjtë synojnë të shfrytëzojnë momentin pozitiv për të dalë me tre pikë nga kjo ndeshje edhe pse secili prej lojtarëve është i bindur se rezultati pozitiv mund të arrihet vetëm me një qasje maksimalisht serioze dhe respekt ndaj kundërshtarit.

Dueli i xhiros së gjashtë ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 15:30.

 

 

Share Now

Related Post