PREVIEW | Gostivari vs Shkëndija

Kuqezinjtë të mërkurën në Gostivar startojnë edicionin e ri në Kupën e vendit. Dueli me anëtarin e Ligës së Dytë nis në orën 17:00.

Shkëndija në mesjavë do të zhvillojë takimin e parë në edicionin e ri 2019/2020 të Kupës së Maqedonisë së Veriut, kur në cilësinë e mysafirit do të përballet me Gostivarin. Kuqezinjtë pretendojnë të shkojnë deri në fund të kësaj gare dhe për këtë qëllim ekipi shikon për fitore në këtë duel, që sipas rregullave në këtë fazë fillestare parashihet vetëm një ndeshje.

Të rejat në skuadër
Pas ditës së hënë kur skuadra kishte rikuperim, të martën ekipi punoi i kompletuar dhe stafi teknik për ndeshjen e të mërkurës në Kupën e vendit do të llogarisë në të gjithë futbollistët, ndërsa formacionin do ta zgjedhe para fillimit të takimit.

Kundërshtari
Skuadra e Gostivarit bën gara në Ligën e Dytë-Perëndim dhe shorti vendosi që në start të Kupës të përballen me Shkëndijën. Ekipi gostivaras duket se gjen stabilitet pas disa viteve me turbulencë, që pasuan menjëherë pas suksesit historik dhe inkuadrimit në Ligën e Parë në sezonin 2013/2014. Asokohe elita vendore parashihte tre raunde garash dhe në tre duele mes veti kuqezinjtë kanë shënuar dy fitore dhe një barazim pa gola në Gostivar. Ndërkohë kjo do të jetë hera e dytë që dy ekipet përballen mes veti në start të garave të Kupës, pasi në vitin 2017 Shkëndija fitonte 2:0 në fushë të Gostivarit. Gjithsej në ndeshje zyrtare dy ekipet janë ndeshur 4 herë, me kuqezinjtë që numërojnë 3 fitore (2:0, 3:0 dhe 4:0) dhe një barazim (0:0), pa asnjë gol të pranuar nga ky rival. Për Gostivarin kjo do të jetë ndeshja e parë zyrtare në sezonin e ri, pasi garat në Ligën e Dytë fillojnë këtë fundjavë dhe Gostivari takimin e parë e luan si vendas kundër Dritës së Bogovinës.

Takimi i parë i 1/16 së finales së Kupës së Maqedonisë së Veriut ndërmjet Gostivarit dhe Shkëndijës luhet të mërkurën në stadiumin e qytetit në Gostivar me fillim në orën 17:00.

Share Now

Related Post