PREVIEW | Abdurahimi: Besoj se do mbrojmë trofeun e Kupës

No image

Optimizëm para finales së Kupës të mërkurën në orën 17:00 kundër Pelisterit. Sulmuesi Besart Abdurahimi beson në fitore për të mbajtur në Tetovë trofeun e Kupës. Të martën në orën 14:30 në Strumicë do të organizohet press konferenca zyrtare, ndërsa Shkëndija udhëton drejt jugut pas seancës stërvitore në Tetovë.

Skuadra “kuqezi” ka kthyer gjithë vëmendjen ka finalja e Kupës së Maqedonisë. Pas ndeshjes me Makedonija Gj.P. në kampionat, futbollistët dhe stafi teknik nuk kanë kohë për pushim pasi në “prag troket” takimi më i rëndësishëm në kuadër të Kupës. Shkëndija pretendon të mbrojë trofeun e fituar vitin e kaluar dhe pret takimin me përqëndrim maksimal për të qenë në nivelin e duhur.

“Të gjithë jemi të gatshëm për finalen e Kupës dhe në skuadër mbizotëron frymë pozitive dhe optimizëm para kësaj ndeshje të rëndësishme. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, Pelisteri ka ekip për respekt dhe ata kanë pretendimet e tyre, por për të qenë i sinqertë nëse do të jemi në nivelin e mundësive dhe kualitetit tonë mendoj se ne do të fitojmë ndeshjen. Unë kam besim se do të mbrojmë trofeun e Kupës dhe se ai do të vazhdojë të qëndrojë në Tetovë, gjegjësisht do ta sjellim sërish këtu”, shprehet sulmuesi Besart Abdurahimi i cili ka kapur një mini-seri të golave, duke realizuar në dy përballjet e fundit të Shkëndijës kundër Bregallnicës dhe Makedonija Gj.P..

Futbollistët sot (e hënë) kishin seancë rekuperimi, ndërsa të martën zhvillojnë seancën e fundit stërvitore, pas çka udhëtojnë drejt Strumicës. Të martën në orën 14:30 në press konferencën zyrtare që do zhvillohet në hapsirat e stadiumit “Mlladost” në Strumicë do të flasin trajneri dhe kapiteni i ekipit. Nga FFM kanë konfirmuar edhe personat zyrtar të ndeshjes dhe arbitër kryesor do të jetë Aleksandar Stavrev, ndërsa dihej paraprakisht se delegat i finales do të jetë Komesari për Gara pranë FFM-së, Vasko Dojçinovski. Finalja e Kupës ndërmjet Shkëndijës dhe Pelisterit luhet të mërkurën në stadiumin “Mlladost” në Strumicë me fillim në orën 17:00.