Pauza kompensohet me miqësore me Prishtinën

No image

Të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:00 kuqezinjtë do të ndeshen me FC Prishtinën në një takim kontrollues.

Pas dy ditëve të lira që stafi teknik u dha futbollistëve menjëherë pas fitores të së dielës 2:1 në fushë të Rabotniçkit, kuqezinjtë kanë rinisur punën dhe punojnë me ritëm të shtuar me nga dy seanca stërvitore në ditë. Ekipi tashmë shikon për atë që pason në kampionat dhe duke mos dashur të humbet ritmi garues shkaku i pauzës në kampionat shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare, stafi teknik ka caktuar takim kontrollues për në fundjavë.

Kështu Shkëndija të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë do të gostisë FC Prishtinën në një duel miqësor që dy stafeve teknike do t’u mundësojë të testojnë gjithë lojtarët që kanë në dispozicion, si dhe të provojnë vendosje të ndryshme taktike që nën presion të rezultatit ndeshjet kampionale nuk u’a lejojnë.

Shkëndija këto ditë punon pa Arbin Zejnullain, Omar Imerin (Shqipëria U21) dhe Leard Sadriun (Kosova U19) që kanë obligime me ekipet përfaqësuese, ndërsa Egzon Bejtullai dhe Marjan Radeski shkaku i dëmtimeve humbin takimet e fundit të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në eliminatoret për EURO 2020. Bejtullai ende nuk është i gatshëm për të punuar në terren dhe vazhdon me terapi fizikale nën mbikëqyrjen e stafit mjekësorë, Mevlan Murati (pësoi dëmtim në sfidën me Rabotniçkin) dhe Marjan Radeski punojnë me intensitet më të ulët dhe vrapime të lehta, ndërsa shkaku i lëndimit të kaviljes jashta procesit stërvitor është Armend Alimi.

Share Now

Related Post