• Startuam ashtu si donim, por dy gabime na kushtuan disfatë
• Realizimi vazhdon të shfaqet problem në lojën tonë
• Përkundër negativës, besoj se ende kemi shanse për kualifikim
• Dy ndeshje me rradhë gabimet e portierëve na kushtojnë, por janë gjëra që ndodhin

Shkëndija del me negativë 1:2 nga dueli i parë me F91 Dudelange në xhiron e dytë të UEFA Europa League. Kuqezinjtë kanë 90-të minutat e dyta për të kërkuar kualifikim në xhiron e tretë. Pas ndeshjes së sotme para mediave foli trajneri Qatip Osmani, i cili kërkon të kthehet koncentrimi ka ndeshja e kthimit.

Qatip Osmani: “Ndeshjen e nisëm ashtu si donim, të hapim rezultatin sa më herët. Pas avantazhit 1:0 patëm disa raste si në pjesën e parë, ashtu edhe në fillim të pjesës së dytë të cilat fatkeqësisht nuk i shfrytëzuam. Pastaj pranuam gola me gabimet tona dhe si pasojë në takimin e kthimit shkojmë me negativë. Fatkeqësisht përsëriten problemet me realizimin kohëve të fundit. Gjithsesi mendoj se ende kemi gjasa për kualifikim pasi na pret ndeshja e kthimit dhe duhet të përgatitemi mirë të provojmë të anulojmë këtë rezultat”.

Qatip Osmani: “Mendoj se nuk është në pyetje përgatitja fizike. Ndeshjen e vendosën dy momente në pjesën e dytë, dy gabime që rezultuan kyç në epilogun e ndeshjes. Pastaj e përsëris se është e qartë se kemi problem me realizimin dhe kur mungojnë golat sigurisht edhe rezultati nuk është ai që duam”.

Qatip Osmani: “Kjo ndeshje nuk ishte e ngjashme me takimin me Nomme Kalju-n, pasi kishim shumë shanse dhe nuk i realizuam. Por e ngjashme mbetet se ne nuk ishim në element dhe nuk luajtëm ndeshje cilësore. Është e qartë se dy ndeshje me rradhë gabimet e portierëve na kushtuan shumë, por unë besoj se Shkëndija ka dy portierë cilësorë. Zahov kishte lëndim në fazën përgatitore dhe ne insistonim ta kemi gati për në Europë. Por pasi në ndeshjen e kaluar ai nuk ishte në nivel, në konsultim me kolegët e stafit teknik vendosëm të inkuadrojmë Rexhepin në këtë ndeshje. Fatkeqësisht edhe ai nuk ishte në ditën e tij dhe kjo na kushtoi me humbje, por janë gjëra që ndodhin edhe në nivele më të larta“.

Ndeshja e dytë e raundit të dytë eliminatorë të UEFA Europa League ndërmjet F91 Dudelange dhe Shkëndijës do të zhvillohet të martën e ardhëshme (30 korrik) në Luksemburg me fillim në orën 17:55.