Në Antalia sipas planit, të hënën test me FC Orenburg

No image

Shkëndija sot ka kompletuar ditën e gjashtë të përgatitjeve në Antalia dhe deri tani gjithçka shkon sipas planit. Të hënën në orën 15:30 sipas kohës tonë lokale në program është testi me ekipin rus, FC Orenburg.

Skuadra kuqezi vazhdon të punojë sipas planprogramit të stafit teknik. Faza kryesore e përgatitjeve dimërore në Antalia të Turqisë është shumë e rëndësishme për nivelin që duhet të arrijë skuadra për vazhdimin e kampionatit dhe kjo ka bërë që futbollistët në atmosferë pozitive, por maksimalisht profesionale dhe serioze në drejtim të kryerjes së obligimeve të tyre të realizojnë gjithë atë që ka paraparë stafi teknik.

Ritmi i stërvitjeve vazhdon të jetë i lartë, skuadra punon nga dy herë në ditë me seanca të kombinuara për akumulim të forcës, kondicionit fizik, pa lënë pas pjesën tekniko-taktike. Sot në seancën e paraditës skuadra punoi pliometri, me Agim Ibraimin, Neshat Muratin, Bazhe Todorovskin, Stenio Junior dhe Zeni Husmanin që kaluan testime fizike para se të bashkohen me pjesën tjetër të ekipit.

FOTOGALERIA

Ndërkohë, pas dite ekipi punoi në terren dhe trajneri Qatip Osmani tashmë ka filluar të kërkojë ndërtimin e fizionomisë së lojës për pjesën e dytë të kampionatit.

Pasqyrë më e qartë për nivelin momental të përgatitjes do të mund të kemi pasditën e të hënës, kur në program është ndeshja e dytë testuese në Antalia (testi i parë u luajt vetëm 37 minuta pasi moti i keq bëri të ndërpritej takimi me Grasshopperin e Zvicrës). Futbollistët e Shkëndijës para dite do të kenë stërvitje të rregullt në terren, ndërsa nga ora 15:30 sipas kohës tonë lokale luhet ndeshja kontrolluese me skuadrën e Premier Ligës së Rusisë, FC Orenburg.