-
A 0:4
- ||, 2017/18, UEFA Europa League Q1
- 2017-07-06 16:00
- Chisinau
“Kuqezinjtë” kualifikohen në raundin e dytë eliminatoreve të Liga Evropës, duke eliminuar Daçian me rezultat të përgjithshëm 7:0. Pas triumfit në 3:0 në ndeshjen e parë, Shkëndija ishte edhe më bindëse në takimin e kthimit në Moldavi, duke triumfuar me rezultat 0:4. Alimi e Junior në të parën dhe Zejnullai e Hasani nga penaltia në të dytën ishin autor të golave kundër Daçias.
Shkëndija zhvillon ndeshje perfekte në Moldavi, ku deklason 4:0 Daçian në një ndeshje që me pak më shumë koncentrim në realizim mund të sillte rezultat edhe më të thellë. Të lehtësuar nga çfarëdo ngarkese pas triumfit 3:0 në ndeshjen e parë në Strumicë, “kuqezinjtë” performuan një pjesë të parë perfekte në të cilën Alimi dhe Junior kombinuar nga një gol dhe asist për epërsi 0:2, duke shuar çfarëdo shprese të vendasve për befasi. Ndeshja filloi me kontroll të lojës nga “kuqezinjtë” ndërsa kansojet e para i sollën Radeski, Murati e Ibraimi.
Pas gjysmë ore lojë Hasani përfiton nga një gabim i vendasve, mirëpo Railean pret tentimin e tij. Në anën tjetër goditje e fortë e Jalbas që ndalet në traversën e Zahovit. Pikërisht në këtë aksion “kuqezinjtë” zhvillojnë kundërsulm të shpejtë me anë të Hasanit që vazhdon lojën në të majtë për Juniorin, ndërsa braziliani asiston para portës për Alimin që me një të djathtë të fortë realizon për epërsi 0:1. Kjo ishte goditje e rëndë për vendasit që për kualfikim tani kishin nevojë për fitore 5:1 dhe ngarkesa psiqike u pa në minutën e 36-të kur Androniç ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga loja me të kuq. Në minutën e 39-të Alimi për pak sa nuk gjeti golin e dytë, mirëpo Railean me pritje të bukur shpëton portën e tij. Shkëndija vazhdoi të dominojë dhe ndryshimi erdhi një minutë para fundit të pjesës së parë kur Alimi asiston perfekt për Juniorin, i cili sjell përfundim perfekt për dyfishim të rezultatit. Ibraimi lëshoi goditje të fortë që nuk gjeti portën, ndërsa në minutën e 62-të Junior lëshon një predhë që shkon për pak jashta kuadrantit. Shkëndija vazhdoi dominimin dhe ishte Ibraimi që në tre raste tentoi portën, por goditjet e tij përfundonin në duart e porterit vendas, ndërsa Alimi në dy raste goditi jashta portës. I kënaqur me rezultatin trajneri Osmani 12-të minuta para fundit tërhoqi nga loja dy autorët e golave të parë Alimin dhe Juniorin, duke u dhënë minuta të rinjëve Totre e Zejnullai. Pikërisht ky i dyti në minutën 81 mori asist të mirë nga Murati, duke arritur të realizoi për 0:3. Pak më vonë Shkëndija fitoi penalti pas lojës me dorë të vendasve në zonën e rrezikut, ndërsa i saktë nga pika e bardhë ishte kapiteni Hasani që fikson rezultatin final 0:4.
DAÇIA-SHKËNDIJA 0:4 (0:2)
Stadiumi “Speia” në afërsi të Kishinau-s
Shikues: 300
Arbitër: Peter Kraloviç (Sllovaki)
Arbitra anësorë: Miroslav Benko dhe Gabriel Adam (Sllovaki)
Delegat: Targo Kaldoja (Estoni)
Golashënues: Alimi 32’, Junior 44’, Zejnullai 81’ dhe Hasani pen. 88’ (Shkëndija)
Kartona të verdhë: Pascenco, Androniç 2 (Daçia), ndërsa Alimi, Radeski (Shkëndija)
Karton i kuq: Androniç 36’ (Daçia)
DAÇIA: Railean, Pascenco, Punoshevac (Cojocaru 73’), Androniç, Aleksandru (Ilescu 57’), Seoane (Marandinci 57’), Gavrylenko, Fortes, Mamah, Draskoviç, Jalba.
Trajner: Viorel Frunza
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi (Totre 78’), Cuculi, Ibraimi, Hasani, Vujçiç, Murati, Radeski (Teqja 69’), Junior (Zejnullai 78’), Todorovski.
Trajner: Qatip Osmani