Ibra i mbetet besnik Shkëndijës, rinovon deri në vitin 2021

No image

Shkëndija ‘blindon’ Besart Ibraimin, i cili firmos kontratë të re me kuqezinjtë, duke u lidhur me marrëveshje deri në verë të vitit 2021.

KF Shkëndija me kënaqësi njofton vazhdimin e bashkëpunimit me sulmuesin Besart Ibraimi. Bomberi më i mirë i tre viteve të fundit në elitën e futbollit vendorë vendos që edhe përiudhën në vazhdim të jetë pjesë e skuadrës kuqezi, kur pritet të vazhdojë rendimentin e deritashëm. Kontrata e paraprake e Ibraimit skadonte në qershorin e vitit 2019, mirëpo duke dashur t’a sigurojnë për një periudhë më të gjatë kohore drejtuesit e klubit vendosën t’i ofrojnë rinovimin. Duke vlerësuar insistimin e klubit Ibraimi ka refuzuar oferta shumë të volitshme, ndërsa ka gjetur akordin për të vazhduar kontratën edhe për dy vite tjera. Kështu Shkëndija dhe Ibraimi me marrëveshjen e re firmosin bashkëpunim deri në verën e vitit 2021.

Gjashtë sezone në Shkëndijë për sërë rekordesh

Me kontratën e re dyvjeçare dhe një që kishte me marrëveshjen e vjetër,  Besart Ibraimi pritet të kompletojë gjashtë sezone në rradhët e Shkëndijës. Brenda kësaj periudhe nëse vazhdon me ritmin e deritashëm, pritet të thyejë shumë rekorde statistikore.
Pas një periudhe të suksesshme jashta vendit, Besart Ibraimi u bashkua me Shkëndijën verën e vitit 2015, duke u konfirmuar menjëherë si golashënues i spikatur, pasi si askush më parë fitoi tre herë resht titullin e golashënuesit më të mirë në LPFM. Në tre sezone që fiton çmimin “Golashënuesi i vitit”, Ibra kampanjën 2015/2016 e mbylli me 25 gola të shënuar, sezonin e radhës realizoi 20-të gola, ndërsa në vitin garues 2017/2018 sërish shpallet ‘Këpuca e Artë’ e kampionatit me 23 realizime. Ka shënuar rregullisht edhe në Kupën e Maqedonisë, ndërsa me 14-të gola është shënuesi më i mirë në historinë e Shkëndijës në Kupat Europiane.
Kontrata e re paralajmëron vazhdimin e historive të reja të Ibraimit me fanellën kuqezi.