Barazim në testin e parë me Domzalen e Sllovenisë

Shkëndija ka barazuar 1:1 me skuadrë  sllovene Domzale në ndeshjen e parë kontrolluese të kësaj faze përgatitore. Elmir Asani i cili është në provë tek kuqezinjtë barazoi shifrat në minutën e 75-të ndërsa debutuan përforcimet e reja.

Kuqezinjtë zhvilluan ndeshje pozitive në testin e parë të përgatitjeve verore para pjesëmarrjes në eliminatoret e Champions League. Rezultati 1:1 me Domzalen sllovene sigurisht ishte në plan të dytë në një ndeshje ku stafi teknik testoi formën dhe nivelin momental të skuadrës në këtë periudhë kohore. Duke llogaritur ngarkesën që kanë futbollistët në seancat stërvitore shumë e natyrshme ishte të ndjehet lodhje, megjithëse skuadra solli momente të mira para se gjithash në kombinatorikë por që përfundonte pa sukses në fazën finale. Shkëndija nisi në sulm dhe në dhjetë minutat e para u kanosën Radeski dhe Junior por pa mundur të ndryshojnë rezultatin. Përgjigjet Domzale që kërkon shansin e saj, ndërsa sjell ndryshim në minutën e 28-të kur Ibriçiç shënon për epërsi 1:0. Sllovenët kishin edhe një tjetër kanosje që ndalet nga Zahov, ndërsa deri në fund të pjesës së parë kuqezinjtë nuk mundën të barazojnë përkundër  tentimeve të Eminit, Bejtullait dhe Shefitit. Në pauzën mes dy pjesëve trajneri Osmani bëri më shumë ndryshime, duke u dhënë në vazhdim mundësi të luajnë futbollistëve që kishte në pankinë ndërsa kanosjen e parë e sollën vendasit kur në minutën e 51 nuk mundën të realizojnë nga një situatë tejet ideale. Shkëndija shpejt u konsolidua dhe filloi të krijojë lojë, por nuk ishin konkretë në finalizim. Gjithsesi barazimi do të vinte në minutën e 75-të kur goditja e Elmir Asanit përfundon në rrjetën e sllovenëve për 1:1.

Deri në fund nuk pati ndryshim kështu që skuadrat mbyllën ndeshjen me rezultat të barabartë që gjithsesi ishte në plan të dytë krahas interesit të trajnerëve për të testuar formën momentale.

DOMZALE-SHKËNDIJA 1:1 (1:0)
Golashënues:
 Ibriçiç 28′ (Domzale), ndërsa Asani 75′ (Shkëndija)
DOMZALE: Mulaliç, Klemençiç, Shirok, Bizjak, Morris, Ibriçiç, Melnak, Urbançiç, Çerin, Hebaj, Husmani.
Luajtën edhe: Tetickoviç, Guçek, Gutiç, Zhuzhek, Urh, Shipek, Niçolson, Rom, Azemoviç dhe Tubiç.
Trajner: Simon Rozhman
SHKËNDIJA: Zahov, Vakili, Bejtullai, Alimi, Musliu, Shefiti, Radeski, Junior, Emini, Adili, Fazlagiç.
Luajtën edhe: Rexhepi, Ibraimi, Selmani, Asani, Sadriu, Murati, Zejnullai, Bojku, Taipi, Çeshmexhiev dhe Todorovski.
Trajner: Qatip Osmani

Share Now

Related Post