Zyrtare: Shkëndija kthen Zija Merxhanin

No image

Mbrojtësi i majtë Zija Merxhani kthehet në taborin kuqezi, pasi sezonin e shkuar doli kampion dhe ishte lojtari më i mirë i kampionatit në pozitën e tij.

Klubi i Futbollit Shkëndija me kënaqësi komunikon angazhimin e mbrojtësit të majtë, Zija Merxhani. Futbollisti tetovar praktikisht kthehet në klubin amë, pasi sezonin e shkuar me Strugën fitoi titullin kampion. Udhëheqësia dhe lojtari kanë gjetur akordin për bashkëpunim në 2 vitet e ardhshme, pas çka 27-të vjeçari ka firmosur kontratën menjëherë pasi kaloi me sukses ekzaminimet mjekësore. 

Shkëndija është klubi më i madh shqiptar dhe secili futbollist dëshiron të vijë këtu. E kur flasim për ne tetovarët që për më shumë edhe kemi nisur karrierën e kemi stërvitur me këto ngjyra që në moshë të vogël, atëherë fjalët janë të pakta për të përshkruar ndjenjën e të qenurit këtu. Unë kam luajtur me Shkëndijën, e dij ambientin dhe vlerësoj se e njoh rrugën që duhet të kalojmë. Dihet se çka pritet prej neve, duhet më pak të flasim dhe më shumë të punojmë për të dhënë secili 100% nga vetja për të realizuar objektivat që ka klubi dhe sponsori“, është shprehur Merxhani menjëherë pasi zyrtarizoi rikthimin në taborin e Shkëndijës.

Zija Merxhani ka dalë nga shkolla e futbollit Shkëndija, para se të luajë te Drita e Bogovinës dhe Struga në Ligën e Dytë. U kthye në Tetovë duke luajtur 4 sezone me Shkëndijën periudhë në të cilën fitoi dy tituj kampion (2018/2019 dhe 2020/2021). Sezonin e kaluar kaloi te Struga dhe ishte ndër më meritorët në fitimin e titullit kampion, i treti në karrierën e tij. Me Strugën në kampionat luajti 27 ndeshje, në të cilat regjistroi 2 gola dhe prodhoi 4 asiste, ndërsa ishte standard edhe në rrugëtimin deri në finale të Kupës. 

Të gjithë në KF Shkëndija i urojmë mirëseardhje Zija Merxhanit, duke i dëshiruar shumë suksese në përiudhën që pason me fanellën kuqezi.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME