Xhiroja e 27-të: Shkëndija-Tikveshi

No image

Të shtunën në Tetovë presim Tikveshin e Kavadarit me ambicie për fitore dhe ngushtim të diferencës me kreun e renditjes. 

NDESHJA

Shkëndija vs Tikveshi

Liga e Parë, xhiroja e 27-të

Stadiumi i qytetit në Tetovë 

E shtunë, 15 prill, ora 16:00

Shkëndija rikthehet të luajë në kampionat pas dy javëve. Fitorja 2:0 përballë Pobedës më 2 prill ishte ndeshja e fundit e kuqezinjëve në kampionat, pasi fundjavën e shkuar ishin të lirë (shkaku i tërheqjes së Renovës nga garat, çdo skuadër i bie të ketë xhiro të lirë). Ndërkohë ecuria pozitive në kampionat u hijezua nga eliminimi nga Kupa e Maqedonisë, pasi më 5 prill u mundëm me penalti nga Makedonija Gj.P.. Java e 27-të e LPFMV-së sjell tjetër duel si vendas, kësaj rradhe përballë Tikveshit nga Kavadari. 

Kuqezinjtë këtë ndeshje e presin me seri prej 4 fitoreve të njëpasnjëshme dhe tre pikët eventuale ekipin e ngjesin në vendin e dytë me 3 pikë larg Strugës, që paralel ka ndeshje kampionale por është edhe me një takim më shumë të zhvilluar. 

Tikveshi zhvilloi vjeshtë shumë pozitive, mirëpo në pranverë gjërat nuk kanë ecur si duhet për ta. Në fakt barazimet me Strugën në shtëpi e Bregallnicën jashtë gjithsesi se janë të kënaqshme, mirëpo ndërkohë akoma nuk kanë fituar në pranverë dhe mes tjerash janë mundur dy herë nga Makedonija Gj.P.. Në Tetovë vijnë me 30 pikë të tubura që momentalisht i mbajnë në vendin e 7-të në renditje. Në përballjet mes veti këtë sezon Shkëndija fitonte 3:1 në Kavadar, ndërsa dueli i fundit në Tetovë sillte barazim pa gola (0:0). 

Skuadra

Metodi Maksimov përfundimisht është rikuperuar plotësisht dhe është i gatshëm për lojë. Ferhan Hasani dhe Ardian Cuculi të premten janë stërvitur me intensitet maksimal dhe janë grumbulluar nga stafi teknik për ndeshjen e nesërme, megjithëse për aktivizimin e tyre do të vendoset pak para fillimit të takimit. 

Kamer Qaka ka probleme me pulpën e këmbës së majtë, por njejtë si Buba e Cuculi hyn në kombinim për lojë. Jashta kombinimit për shkak të lëndimit është Mevlan Murati

Transmetimi

Përballja Shkëndija-Tikveshi zhvillohet të shtunën me fillim në orën 16:00 në stadiumin e qytetit në Tetovë dhe do të transmetohet drejtëpërsëdrejti në kanalin zyrtarë të klubit në YouTube.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME