Trajneri Nuhiu flet për përgatitjet dhe përforcimet

No image

Me vlerësim maksimal për 16 ditët e para të përgatitjeve, trajneri Nuhiu vlerëson përshtatjen e lojtarë e të ri, derisa shton se në Slloveni ekipi do të kërkojë ndërtimin e lojës. 

Shkëndija ka mbyllur fazën e parë të përgatitjeve verore për paraqitjen në eliminatoret e UEFA Conference League. Pak më shumë se dy javë punë vlerësohen pozitivisht nga trajneri Ardian Nuhiu, i cili beson se ekipi do të jetë në lartësinë e duhur deri në ndeshjen e parë. Skuadra të hënën udhëton drejt Sllovenisë ku do të zhvillohet faza e dytë përgatitore dhe mes tjerash ekipi përmes 4 ndeshjeve kontrolluese do të kërkojë ndërtimin e lojës. 

Si e vlerëson fazën e deritashme përgatitore?

Ardian Nuhiu: “Dua të falemenderoj futbollistët sepse çdo fazë e sidomos fillimi është jashtëzakonisht i vështirë. Por futbollistët në mënyrë profesionale janë duke u përgjigjur të gjitha kërkesave tona. Në mëngjes zakonisht kemi shfrytëzuar seancat stërvitore për të marrë skuadra ngarkesa, kurse në stërvitjet pas dite gjithmonë jemi munduar që thjesht të shtrojmë idetë apo filozofinë tonë të lojës në format më të ndryshme dhe të përcjellim te futbollistët që nesër në Evropë apo edhe në kampionat të jemi gati që punën ta implementojmë në mënyrën më të mirë.”

Kemi mbyllur praktikisht fazën e parë dhe nga e hëna ekipi transferohet në Slloveni. Duket ekipi i gatshëm për të kaluar në fazën e dytë kur veçmë duhet të mendohet edhe për lojën?

Ardian Nuhiu: “E thash se faza e parë ka shkuar mjaft mirë. Përveç disa shqetësimeve të vogla me lëndime që është normale, pjesa më e madhe e skuadrës është mirë. Futbollistët e ardhur dalëngadalë ambientohen me grupin, kanë gjetur një ngrohtësi edhe nga futbollistët që ishin në ekip. Një pritje jashtëzakonisht e mirë dhe kjo më pëlqen. Nesër ikim për në Slloveni ku na presin 4 ndeshje kontrolluese në të cilat do të mundohemi që të gjithë futbollistët të marrin minuta dhe të mundohemi që gradualisht të ndërtojmë dhe përgatisim skuadrën për atë që na pret. Atje do të mësojmë edhe kundërshtarin e xhiros së parë të Conference League. Por e thash më e rëndësishme për mua në këto ndeshje kontrolluese është që çdo futbollist të merr minutat e veta dhe të jenë gati sepse të gjithë do të jenë të rëndësishëm. E dimë se është rrugë e gjatë, si kampionati ashtu edhe Evropa dhe kjo është arsyeja që do kërkojmë futbollistët të përgatiten në mënyrë më të mirë në çdo aspekt, si në atë taktik apo edhe mental për tu futur në ndeshjet në Evropës.”

Po përforcimet si i vlerëson? Je i kënaqur me prurjet dhe përshtatjen e tyre deri në këtë moment?

Ardian Nuhiu: “Deri në këto momente jam i kënaqur me mënyrën si po ambientohen me grupin apo edhe pritja. Jemi në kërkim të edhe disa futbollistëve sepse gradualisht po ndërtojmë skuadrën. Nuk do të shpejtojmë në asnjë moment sepse duam që të bëjmë hapa të sigurtë. Thjesht jam i përqendruar te këto futbollistë të cilët i kemi, do të mundohem që nga këta të marr më të mirën dhe pastaj do të shofim çka do të jetë në treg apo në ato pika ku mendojmë se duhet reaguar për përforcime në skuadër.”

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME