Test i suksesshëm ndaj Dinamo Batumi

No image

Kuqezinjtë realizuan një ndeshje pozitive kontrolluese ndaj kundërshtarit gjeorgjez, me Meliqin e ardhur nga shkolla e klubit dhe Krstevskin që realizuan golat e fitores.

Shkëndija fiton 2:0 Dinamo Batumin në testin e parë në Antalia të Turqisë, mirëpo më shumë se sa rezultati kënaq paraqitja tejet pozitive e skuadrës në të dyja pjesët. Shto këtu faktin se luajtën 7 futbollistë të rritur në shkollën e klubit (Meliqi, Jakupi, Nuhija, Kurti, Ademi, Rexhepi dhe Totre).

Trajneri Jeton Beqiri ngadalë imponon idetë e tija për një futboll vrapues dhe me presion të lartë në pjesën kundërshtare dhe skuadra sot transmetoi në vepër kërkesat e stafit teknik, posaçërisht në pjesën e dytë kur prodhuam presion admirues mbi kundërshtarin. 

Në fraksionin e parë epërsisë i’u afruam me Shalën që nuk realizoi pas asistit të Krasniqit, por golin gjithsesi do ta gjenim herët. Ishte minuta e 19-të kur Çinari harkoi nga gjuajtja e lirë, ndërsa Meliqi me kokë realizon për epërsi 1:0 të kuqezinjëve. Pavarësisht mundësive të të dyja skuadrave në pauzë vendosi goli i vetëm i mbrojtësit të ri kuqezi. 

Trajneri Beqiri në pauzë bëri 8 zëvendësime, derisa prej formacionit startues në lojë la vetëm Meliqin, Rexhepin dhe Shalën (ky i fundit më vonë do të zëvendësohej nga i riu Kurti). Shkëndija e nisi të dytën me presion të lartë, duke detyruar kundërshtarin në gabim, me Vane Krstevskin që vetë vjedh topin dhe realizon për 2:0. Edhe në vijim kuqezinjtë u karakterizuan me shumë vrap dhe shtypje të lartë, duke pamundësuar Dinamon të organizonte lojën. Shkëndija humbi disa mundësi, derisa gjeorgjezët më afër golit shkuan në minutën e 78-të kur goditja e sulmuesit kundërshtar ndalet në traversën e Ramanit. 

Kuqezinjtë pas sfidës vazhdojnë me seancat e tyre stërvitore në bazën e zgjedhur në Antalia për të vijuar realizimin e planprogramit për fazën kryesore të përgatitjeve dimërore. 

SHKËNDIJA-DINAMO BATUMI 2:0 (1:0)

Sueno de Luxe, Belek – Antalia 

Golashënues: Meliqi 19’ dhe Krstevski 46’ (Shkëndija)

SHKËNDIJA: Taleski, Kocev, Meliqi, Cake, Rexhepi, Totre (c), Qaka, Çinari, Krasniqi, Shala, Aganspahiç. 

Luajtën edhe: Ramani, Velija, Adili, Dita, Nuhija, Jakupi, Krstevski, Ademi, Kurti. 

Trajner: Jeton Beqiri

Share Now

Related Post