Taleski: Të shikojmë para për një seri të re fitoresh

No image

Portieri kuqezi vlerëson se pavarësisht humbjes së fundit ekipi është lider dhe në këtë moment më e rëndësishme është të mendohet për fitore në duelin me Makedonija Gj.P. të dielën në Tetovë.

Skuadra vazhdon përgatitjet për sfidën e ardhshme kampionale kur xhiroja e 8-të na sjell duel me Makedonija Gj.P.. Shkëndija si lidere e renditjes dhe me një ndeshje më pak të luajtur ka mundësi që me tre pikë të përforcojë kreun, derisa fitorja do na kthente në rrugën e suksesit. Pas 4 fitoreve të njëpasnjëshme kuqezinjtë barazuan me Shkupin (0:0) dhe u mundën nga Sileksi (2:1), ndërsa tash është momenti për restart të ri. 

Natyrisht se ndjehemi keq për disfatën dhe dëshprimin që ky rezultat solli te tifozët tanë, mirëpo sado që të na dhemb, dështimet janë pjesë e futbollit. Ajo që kaloi nuk kthehet mbrapa dhe neve na mbetet që të punojmë shumë për tu përgjigjur në fushë me fitore të reja”, thotë Davor Taleski.

Gardiani kishte momente fantastike në Kratovë dhe fatkeqësisht humbja la në hije penaltinë e pritur dhe më pas edhe tentimin e dytë të sulmuesit të Sileksit, ndërsa në çastet e fundit të ndeshjes pak mungoi të barazonte rezultatin me goditje me kokë kur kishte dalë para për të ndihmuar sulmin pas një rivënie nga këndi.

Futbolli është sport kolektiv dhe ne bashkë fitojmë e bashkë humbim. Ndonjëherë portieri mund mos jetë në nivel, por skuadra shënon më shumë dhe vjen suksesi, apo e kundërta me një gol merr tre pikë nëse portieri ka super pritje. Sigurisht se ndjej keqardhje qoftë për faktin se prita penalti dhe do doja kjo t’i shërbente ekipit, apo nëse në fund goditja ime me kokë të sillte barazim”, sqaron Taleski, derisa shton. 

Ne shikojmë përpara, tani vëmendjen e kemi te sfida e rradhës me Makedonija Gj.P.. Besoj do të jemi në nivel, me lojë të sigurtë të kthehemi në rrugën e suksesit dhe të ruajmë pozitën e parë në renditje”, përfundoi portieri, Davor Taleski. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME