Skuadra vijon me nga dy seanca stërvitore në ditë, fundjava sjell test

No image

Pauza kampionale shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare shfrytëzohet nga stafi teknik për mini-fazë përgatitore, ndërsa të shtunën ekipi do të zhvillojë ndeshje kontrolluese me Gostivarin.

Shkëndija vijon përgatitjet për vazhdimin e kampionatit dhe ndeshjen e xhiros së 9-të më 2 tetor kundër Pobedës në Prilep. Futbollistët kishin dy ditë të lira pas ndeshjes të së shtunës me Shkupin, ndërsa tashmë janë rikthyer në stërvitje. 

Trajneri Qatip Osmani debutimin e tij pas rikthimit në pankinë e kishte vetëm 24 orë pas emërimit dhe pauza dy javore e kampionatit erdhi në moment të duhur për të punuar me ekipin në drejtim të imponimit të metodave të tij të punës dhe lojës. Këtë periudhë trajneri Osmani nuk ka në dispozicion 4 futbollistë, pasi Egzon Bejtullai, Lupço Doriev, Reshat Ramadani (U21) dhe Dashmir Elezi (U19) kanë angazhime me ekipet përfaqësuese të Maqedonisë së Veriut. 

Këto ditë skuadra në program ka nga dy seanca stërvitore, ndërsa kështu do të vijohet deri të premten. Për të ruajtur formën garuese dhe gjithsesi për të provuar gjendjen momentale të të gjithë futbollistëve, stafi teknik për ditën e shtunë ka caktuar ndeshje kontrolluese me KF Gostivarin. Ndeshja në fjalë do të luhet në stadiumin e fshatit Reçicë me fillim në orën 15:00.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME