Raporti: Makedonija Gj.P. – Shkëndija 0:1

No image

Ennur Totre me gol nga penaltia na sjell start me tre pikë të gjysmësezonit pranveror. 

MAKEDONIJA GJ.P. – SHKËNDIJA 0:1 (0:1)

Stadiumi në Gjorçe Petrov të Shkupit

Golashënues: Totre 29’ (Shkëndija)
Arbitër: Stojançe Trpçevski (Kavadar)

MAKEDONIJA GJ.P.: Stevkovski, Manev, Mishevski (c), Ilievski (Rodrigez 80’), Pavishiç (Zllatkov 46’), Velkoski (Galevski 80’), Latifi (Aliji 58’), Popzllatanov, Pecov, Stoilov, Xhonatan (Fazli 28’).
Trajner: Toni Xhangarovski

SHKËNDIJA: Taleski, Rexhepi, Cake, Çinari (Krstevski 80’), Totre, Krasniqi, Shala (Webster 90’+2), Aganspahiç, Kocev, Meliqi, Qaka (Ramadani 71’). 

Trajner: Jeton Beqiri

Kuqezinjtë fitojnë 1:0 në transfertën me Makedonija Gj.P. në duelin e parë zyrtar të vitit 2024, duke i mundësuar trajnerit Jeton Beqiri debutim të suksesshëm në rikthimin e tij në bankinën e Shkëndijës. Një gol i Totres nga penaltia në minutën e 29-të rezultoi vendimtar për triumfin e 11-të sezonal. 

Me mungesa si Adili e Dita (të pezulluar me kartona), trajneri Beqiri si partner i Cakes në mbrojtje i dha mundësi nga fillimi të debutojë në një ndeshje zyrtare 18-të vjeçarit, Anes Meliqi, derisa debutoi si startues edhe mbrojtësi i djathtë Kocev. Rexhepit i’u besua krahu i majtë, me Totren, Krasniqin e Qakën në mesfushë. Në portë standard Taleski, kurse sulmi ishte për Çinarin, Shalën dhe Aganspahiç. 

Në një terren të papërshtatshëm për lojë Shkëndija u vendos e kujdesshme, pa agresivitetin zakonshëm nga ndeshjet kontrolluese, mirëpo me kontroll të plotë të lojës në fushë. Ndërtimi gradual i lojës solli efekt në minutën e 29-të kur Totre fiton penalti pas duelit me Stoilovin, derisa kapiteni ishte i saktë nga pika e bardhë duke shënuar për 1:0. Paraprakisht Velkoski kishte tentim për vendasit, mirëpo pa shqetësuar seriozisht Taleskin. 

Në pjesën e dytë vendasit provuan të vendosen më lartë në kërkim të barazimit, por Shkëndija menaxhonte gjërat pa u rrezikuar në asnjë moment. Ndryshimet e kundërshtarit u dhanë pak freski, megjithëse Shkëndija dinte çka donte dhe në fazën e fundit krijoi dy mundësi me sulmuesin Aganspahiç. Në tentimin e parë topi shkoi skaj portës, ndërsa më vonë Stevkovski mbrojti gjuajtjen me kokë të boshnjakut. Deri në fund trajneri Beqiri u dha mundësi për debutim Reshat Ramadanit (i rikthyer), Krstevskit dhe Websterit, ndërsa pikërisht Ramadani shkoi pranë golit të dytë me goditje me kokë. Në fund goli i Totres mjaftoi për tre pikë. 

Ndeshja e radhës

Javën e ardhshëm xhiroja e 20-të Shkëndijën e sheh si vendase të Gostivarit.

Shkëndija-Gostivari 25.02.2024

Share Now

Related Post