PREVIEW | Shkëndija vs Makedonija Gj.P.

No image

Tre muaj pas ndeshjes së fundit zyrtare si vendas, kuqezinjtë të dielën pa praninë e publikut në Tetovë presin Makedonija Gj.P. në duelin e xhiros së 21-të në LPFMV.

Vetëm xhiroja e tretë e gjysmësezonit pranveror mundëson që kuqezinjtë për herë të parë në vitin 2020 të zhvillojnë një ndeshje zyrtare në terren vendas, pasi dy xhirot e para skuadra ishte mysafire e Akademia Pandevit (fitore 2:1) dhe Sileksit (barazim 0:0). Më në fund është rradha të luajmë si vendas, saktë 3 muaj pasi për herë të fundit kishim zhvilluar takimin me Shkupin. Më 1 dhjetor të vitit 2019 në Tetovë luanim me Shkupin në një ndeshje të fituar me shifrat bindëse 4:0. Fatkeqësisht, prezantimi i parë për vitin 2020 para publikut vendas nuk ndodh në këtë duel, pasi me rekomandim të Qeverisë së vendit, Komisioni për Gara pranë FFM-së ka vendosur që gjitha ndeshjet të luhen pa praninë e publikut, si masa preventive për mos shpërndarjen e Coronavirus.

Të rejat në skuadër
Pas ndeshjes të së dielës së shkuar me Sileksin në Kratovë, ekipi ka kthyer vëmendjen ka sfida e rradhës me Makedonija Gj.P.. Ekipi ka punuar me përqendrim maksimal sipas planprogramit të stafit teknik, me këtë ta fundit që përballen me disa probleme në lidhje me formacionin.

Mbrojtësi Kostadin Çeshmexhiev kundër Sileksit kompletoi 5 kartona të verdhë që automatikisht sjellin pezullim me një ndeshje. Brenda javës në lëndime janë ankuar sulmuesit Radeski dhe Fazli, me të parin që përfundimisht mbetet jashta kombinimit, ndërsa i dyti ka përmirësime dhe hyn në kombinim për lojë. Në dyshim mbetet Mevlan Murati, i cili në seancën e fundit stërvitore u ankua në dhimbje të kofshës dhe aktivizimi i tij do të varet nga vlerësimi i stafit mjekësor disa orë para fillimit të takimit. Kthehet në skuadër Valon Ahmedi që humbi sfidën me Sileksit si pasojë e një shqetësimi me lëndim, mirëpo nga e hëna mesfushori është stërvitur me intensitet maksimal dhe vihet në dispozicion të stafit teknik.

Kundërshtari
Makedonija Gj.P. zhvillon sezon shumë pozitiv, megjithëse gjysmësezonin pranveror e ka nisur me sukses të përgjysmuar me disfatë dhe fitore nga dy takimet e para. Në start u mundën 3:1 në transfertën me Vardarin, ndërsa fituan 1:0 si vendas Akademia Pandevin. Shkëndija ka bilans pozitiv në duelet me Makedonija Gj.P., mirëpo për dallim nga e kaluara kur regjistronim fitore shpesh herë edhe bindëse, në këtë kampanjë kërkojmë triumfin e parë përballë këtij rivali, pasi dy duelet paraprake të këtij sezoni u mbyllën me barazime (1:1 në Tetovë dhe 0:0 në Shkup).

Përballja e xhiros së 21-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Shkëndijës dhe Makedonija Gj.P. luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 14:00. Si që u njoftua paraprakisht ndeshja zhvillohet pa praninë e publikut, ndërsa do të transmetohet direkt në kanalin zyrtar të KF Shkëndija në Youtube.

Share Now

Related Post