Press para sfidës së Champions League, Shkëndija-Sheriff

No image

Kampionët e Moldavisë janë ekip shumë cilësorë, mirëpo Shkëndija do të kërkojë të bëjë më të mirën në duelin e parë me Sheriff Tiraspolin. Qatip Osmani dhe Armend Alimi besojnë se skuadra është e gatshme për tjetër paraqitje pozitive europiane, duke kërkuar rezultat sa më të favorshëm përballë kampionit të Moldavisë, Sheriff Tiraspol të martën në orën 20:15.

 

Shkëndija të martën do të ketë sfidën e rradhës në eliminatoret e Champions League dhe kuqezinjtë shprehen të përgatitur për të provuar të sjellin histori të re. Në konferencën për media trajneri Qatip Osmani dhe kapiteni Armend Alimi folën për shanset e Shkëndijës në duelet me kampionin e Moldavisë, duke potencuar se vlerë e rëndësisë kapitale do të jetë të mos pranohet gol në takimin e parë si vendas.

“Kemi analizuar disa ndeshje të Sheriff Tiraspol përfshi edhe takimin e fundit që fituan 3:0. Bëhet fjalë për skuadër kualitative. Këtë periudhë kemi punuar me ekipin edhe në aspektin psikologjik, pasi patjetër të marrim mësim nga humbja e fundit në transfertën me The New Saints. Përmes bisedave në grup si dhe individualisht jemi munduar ta kthejmë atmosferën në nivelin e dëshiruar”, deklaroi trajneri Qatip Osmani.

“Objektivi ynë është të zhvillojmë lojën më të mirë të mundshme, për t’u kthyer sa më shpejt në identitetin e lojës tonë që kemi treguar më herët. Normal e kam thënë çdo herë se si vendas çdo fitore pa marrë parasysh numrin e golave të shënuar është pozitive, me rëndësi mos pranojmë gol. Sidomos kundër Sheriff Tiraspolit të cilët kanë sulm shumë të mirë, por besoj se jemi të përgatitur që ta ndalim”, u shpreh kapiteni Armend Alimi.

Kuqezinjtë sonte në orën 18:30 do të stërviten në stadiumin “Filipi i Dytë” ku të martën nga ora 20:15 do të luajnë përballjen e parë të raundit të dytë të Champions League.