Raporti i ndeshjes | Paraqitje pozitive në miqësoren me Warta Poznan

No image

Shkëndija len prapa edhe ndeshjen e dytë kontrolluese në përgatitjet në Antalia. Paraqitje pozitive ndaj Warta Poznan e Polonisë e vendosur nga super goli i Çinarit.

Një gol i bukur i Erald Çinarit vendosi epilogun e ndeshjes kontrolluese ndërmjet Shkëndijës dhe Warta Poznan e Polonisë, në të cilën trajneri Jeton Beqiri shfrytëzoi maksimalisht hapsirën për të imponuar idetë e tija në lojën e skuadrës. 

Formacion ndryshe nga ndeshja me Dinamo Batumin (fitore 2:0), por sërish agresiv dhe me presion të lartë. Nisëm me Jakupin e Ademin titullar, në qendër të mbrojtjes dyshja Cake-Adili, derisa Kocev e Rexhepi në krahë. Krstevski sulmues i djathtë, derisa standard në formacion portieri Taleski, kapiteni Totre e sulmuesi Çinari. 

Polakët provuan të vendosin autoritet në fillim, mirëpo kuqezinjtë shpejt u treguan të zotët të marrin gjërat në kontroll, duke dominuar në lojë e posaçërisht në sy binte presioni i lartë në rastet kur topin fitonte kundërshtari. Loja e tillë solli situata para portës kundërshtare dhe si rezultat do të vinte edhe goli i epërsisë. Shpejt kemi menaxhuar topin duke ndërtuar super aksion me Totren dhe Jakupin, që bukur asiston dhe Çinari prodhon një të majtë të fortë e precize që ndalet në rrjetë për avantazh 1:0 të Shkëndijës. Tempo të njejtë mbajtëm edhe në vazhdim, me atë që 7-8 minutat e fundit të pjesës së parë polakët dolën para dhe krijuan tre raste, me portierin Taleski që prodhoi tre super intervenime, posaçërisht pas tentimeve të kapitenit Kupczak dhe Saviçit. 

Ashtu siç pritej, pjesa e dytë nis me 8 zëvendësime nga tanët, derisa vazhduan vetëm Çinari, Rexhepi dhe Dita, me këtë të fundit që mori shiritin nga Totre derisa u kthye mbrapa të luajë si mbrojtës qendre në tandem me të riun Meliqi. Minuta e 47-të solli mundësi për miqtë kur pas një goditje standarde, tentimi i Prikryl ndalet në kornizën e portës së Amzait. Vetëm pak më vonë prodhojmë super kundërsulm të bukur dhe kanosemi me Shalën, por gjuajta e tij nuk ishte precize. Amzai kishte intervenim të mirë në minutën e 61 kur kontrolloi një goditje me kokë, derisa nga minuta e 64-t debutoi me fanellën kuqezi përforcimi i fundit Webster. Shala kishte një tjetër tentim në minutën e 73-të kur e djathta e tij ndalet nga portieri kundërshtar. Situatë interesante në minutën e 78-të kur portieri i Wartas doli në sulm në një këndore, situatë që zakonisht e shohim në minutat e fundit të ndonjë ndeshje të rëndësishme, por mbase ideja e trajnerit të polakve ishte të provojnë veten në situata të tilla. Fundi i ndeshjes solli pak nervozë pas një starti të Qakës, derisa minutat në vazhdim nuk sollën ndryshim dhe Shkëndija menaxhoi të fitonte duelin 1:0. 

SHKËNDIJA-WARTA POZNAN 1:0 (1:0)

Ecodyzain Sport Center Stadium, Side – Antalia 

Golashënues: Çinari 19’ (Shkëndija)

SHKËNDIJA: Taleski, Kocev, Adili, Cake, Rexhepi, Dita, Totre (c), Jakupi, Çinari, Krstevski, Ademi. 

Luajtën edhe: Amzai, Velija, Meliqi, Nuhija, Qaka, Shala, Krasniqi, Aganspahiç, Webster, Kurti. 
Trajner: Jeton Beqiri

Trajner: Jeton Beqiri

Share Now

Related Post