Nafiu: “Ndjenjë e bukur të luash pas pesë muajve”

No image

“Më në fund kemi mundur të zhvillojmë një ndeshje futbolli. Është ndenjë shumë e bukur të luash pas pesë muajve. Për ne futbollistët të qëndrosh pa luajtur futboll është penalizim i madh”, shprehet Valmir Nafiu.

Pas pak më shumë se pesë muajve pas ndeshjes Shkëndija-Rabotniçki e vlefshme për xhiron e 23-të të sezonit të kaluar, i ndërprerë shkaku i pandemisë me COVID-19, kuqezinjtë kanë zhvilluar një ndeshje futbolli. Testi me Gostivarin ishte përballja e parë pas pauzës së gjatë të detyrueshme dhe futbollistët kuqezi paralel me vështirësitë e mashmangshme i gëzohen faktit që më në fund kthehen të luajnë. Me golin e Omar Imerit, Shkëndija fitoi 1:0 testin e parë të fazës përgatitore verore para startit të sezonit të ri dhe për sulmuesin Valmir Nafiu ky është një moment i rëndësishëm në drejtim të kthimit të formës optimale.

“Më në fund kemi mundur të zhvillojmë një ndeshje futbolli, qoftë ajo një miqësore apo takim përgatitor. Është ndenjë shumë e bukur të luash pas pesë muajve. Pandemia shkaktoi krizë në gjithë botën dhe në gjitha bizneset apo veprimtaritë, por për ne futbollistët të qëndrosh pa luajtur futboll është penalizim i madh. Është mirë që ngadalë gjërat kthehen në normalitet”, shprehet Valmir Nafiu, i cili vlerëson paraqitjen kundër Gostivarit edhe pse pranon se ekipit do t’i duhet akoma kohë për të prekur gjendjen optimale.

“Pauza e gjatë ka ndikuar te të gjithë ne futbollistët, bile besoj se edhe për arbitrat nuk ishte e lehtë. Si fillim gjërat shkuan shumë mirë dhe pres të përmirësohemi në vazhdimësi. Normal se testi me Gostivarin ishte ndeshja e parë pas një pauze të gjatë, këmbët ende janë të rënda dhe me kalimin e kohës besoj do të jemi gjithnjë e më të mirë”, përfundoi Valmir Nafiu, asistent i golit të vetëm në testin e djeshëm me Gostivarin.

Share Now