
Ditën e shtunë kuqezinjtë në Stadiumin e Qytetit në Tetovë me fillim në orën 17:00 do të luajnë ndaj ekipit të Rabotniçkit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tridhjetë të LPFMV-së.
Në këtë ndeshje kuqezinjtë nisen me misionin e vetëm, të përsërisin lojën bindëse të treguar në xhiron paraprake, dhe të vazhdojnë me fitore në përballjet që kanë ngelur deri në përfundim të kampionatit.
Në ndeshjen e fundit në mes të dyja skuadrave, kuqezinjtë u mundën në Shkup nga “romantikët” me rezultatin 2:1.
Ndërsa sa i përket historikut, statistikat flasin bindshëm në favor të kuqezinjve që nga gjithsej 65 ndeshje kanë shënuar 33 fitore, Rabotniçki ka 19 fitore, ndërsa 13 ndeshje kanë përfunduar me barazim.
Detajet e ndeshjes:
E shtunë, 30 prill
Liga e Parë, xhiroja e tridhjetë
Stadiumi i Qytetit në Tetovë
🆚 Rabotniçki | ⏱ 17:00 | 📺 Shkëndija Channel YouTube
Opinioni:
Egzon Bejtullai: “Tani kur i afrohemi fundit të kampionatit çdo ndeshje është e rëndësishme.
Në ndeshjen e fundit e dominuam totalisht kundërshtarin dhe fatmirësisht edhe në finalizim ishim konkretë duke shënuar tre gola. Kampionati bëhet edhe më i ngjeshur për shkak se gjatë mesjavës do të kemi ndeshje tjetër të rëndësishme në transfertë. Por skuadra është mirë e përgatitur dhe me motivacion të lartë presim të futemi në këto ndeshjet e fundit që kanë ngelur deri në përfundim të kampionatit. Ndaj Rabotniçkit presim të marrim trepikëshin dhe pastaj të vazhdojmë më tej me ecurinë e fitoreve”.
Arbitër kryesor i takimit do të jetë Igor Ivanov nga Velesi, do t’i ndihmojnë Kushtrim Lika nga Kërçova dhe Petar Novaçev nga Velesi, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Nikolla Ivanov, poashtu nga Velesi.
Të rejat në skuadër:
Mbrojtësit Manevski dhe Krivak kanë plotësuar numrin e kartonave të verdhë dhe në këtë ndeshje nuk do të jenë pjesë e skuadrës. Lojtarët tjerë janë të gatshëm për lojë.
Kundërshtari:
Rabotniçki
Pozita momentale: Rabotniçki gjendet në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit, me 37 pikë të tubuara.
Ecuria: Rabotniçki në pesë xhirot e fundit në ligë ka 2 fitore dhe 3 humbje. Në ndeshjen e fundit në ligë u mund në terren vendas nga ekipi i Skopjes. Kur kanë ngelur edhe katër xhiro deri në përfundim të kampionatit, Rabotniçki matematikisht akoma nuk ka shpëtuar nga zona që shpie në ndeshjet playoff për rënie nga liga.
🆚 Rabotniçki | ⏱ 17:00 | 📺 Shkëndija Channel YouTube
