Kuqezinjtë kompletohen me reprezentuesit, Nafiu, Dita e Murati të lënduar

No image

Futbollistët e angazhuar në ekipet përfaqësuese janë kthyer në skuadër, ndërsa në fundjavë shkaku i lëndimit mund të mungojë Nafiu, kurse në dyshim mbeten Dita e Murati.

Shkëndija vazhdon përgatitjet për vazhdimin e kampionatit dhe ndeshjen e të dielës me Pobedën në Prilep në kuadër të xhiros së 9-të në elitën e futbollit vendor. 

Pas mungesës shkaku i angazhimeve me ekipet përfaqësuese të Maqedonisë së Veriut, nga e marta skuadra është kompletuar me kthimin e Egzon Bejtullait e Ljupço Dorievit që ishin pjesë e përfaqësueses A të vendit, si dhe atyre të shpresave, Reshat Ramadani (U21), Dashmir Elezi (U19) dhe Zani Nazifi (U19).

Të pesë lojtarët të martën u bashkuan me skuadrën kuqezi dhe zhvilluan seancën stërvitore me intensitet të plotë, përveç Bejtullait që punoi ndarë nga skuadra në rikuperim, duke ditur se vetëm një natë më herët zhvilloi 90-të minuta lojë kundër Bullgarisë. Prej sot edhe ai kyçet me grupin dhe kështu të pesë reprezentuesit pritet të jenë në disponim të trajnerit Qatip Osmani. 

Lëndime për Nafiun, Ditën e Muratin

Ndërkohë probleme për Mevlan Muratin, Bruno Ditën dhe Valmir Nafiun, të tre të dëmtuar dhe në dyshim për të luajtur të dielën me Pobedën. Të tre futbollistët u dëmtuan në kontrolluesen me Gostivarin (fitore 1:0) të shtunën dhe mbetet për tu parë zhvillimi i rikuperimit deri ditën e ndeshjes.

– Valmir Nafiu – Goditje në kofshë. Nuk stërvitet me ekipin, me shumë gjasa nuk do jetë në kombinim për ndeshjen e rradhës kundër Pobedës. 

– Bruno Dita – Zgjatje të aduktorit. Të martën zhvilloi stërvitje individuale jashta grupit. Me shumë gjasa pritet t’i bashkohet grupit dhe të jetë në kombinim për ndeshjen e rradhës.

– Mevlan Murati – Zgjatje e aduktorit. Të martën bashkë me Ditën ka bërë stërvitje individuale jashtë grupit. Me shumë mundësi pritet të bashkohet me grupin dhe të hyjë në kombinim për ndeshjen e rradhës. 

Vendimet për aktivizimin e lojtarëve në fjalë do të merren duke u bazuar te gjendja aktuale dhe në koordinim me stafin mjekësor dhe trajnerin kondicional.

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME