Konferenca për shtyp para duelit me Haverfordwest County

No image

Trajneri Nuhiu dhe mesfushori Totre kanë folur para mediave në lidhje me ndeshjen e të enjtes me Haverfordwest County AFC.

Shkëndija të enjten në orën 20:00 në Shkup starton aventurën e re evropiane, kur në xhiron e parë eliminatore të UEFA Europa Conference League përballet me skuadrën nga Uellsi, Haverfordwest County AFC. Para ndeshjes në takimin zyrtarë me media folën shefi i stafit teknik Ardian Nuhiu dhe mesfushori Ennur Totre. 

Ardian Nuhiu: “Pa diskutim vlerësim maksimal për skuadrën kundërshtare. Në këto nivele s’ka skuadër të lehtë. Çdo ekip ka cilësitë dhe objektivin e vet. Mua më intereson skuadra ime dhe ne jemi të gatshëm për një përballje ku kam besim të plotë te futbollistët të cilët nesër do të performojnë në formë shumë të mirë. Këtë po e them pasi plotë 40 ditë kemi punuar bashkë dhe jemi munduar që në çdo mënyrë të sjellim idetë tona dhe ta analizojmë kundërshtarin si në aspektin kolektiv se si luan si skuadër, ashtu edhe në aspektin individual janë të analizuar të gjithë futbollistët e kundërshtarit dhe kemi mjaftueshëm informacione. Duhet të kemi qasjen e duhur, vlerësim maksimal për kundërshtarin dhe të sjellim lojën që kemi përgatitur. Pres ndeshje shumë të mirë nga skuadra jonë.“

Ennur Totre: “Ne gjithmonë kemi pasur mbështetjen e publikut dhe “Ballistëve” dhe besoj se edhe nesër do të kemi përkrahje të madhe dhe numër sa më të madh të shikuesve. Besoj se ne do ta kryejmë punën tonë në fushë dhe publiku në tribuna.“

Ardian Nuhiu: “Atmosfera është shumë e mirë, me pozitivitet presim ndeshjen e nesërme. Është mundësi e mirë për futbollistët për të shprehur vlerat e tyre në një fushë shumë të mirë ku besoj fuqishëm se nga tribunat do të kemi edhe mbështetjen e publikut dhe tifozëve tanë. Me përkrahjen e publikut dhe maksimumin e futbollistëve mendoj se nesër do të marrim fitoren.“

Ennur Totre: “Kam qenë pjesë e asaj gjenerate të artë të Shkëndijës që kemi bërë mirë në Evropë dhe tre herë kemi luajtur në play off, por nuk kemi arritur të futemi në grupe. Tani kemi një ekip të ri, me staf të ri dhe lojtarë të ri. Kemi lënë pas fazën përgatitore dhe jemi gati për këtë ndeshje. Uroj të ecim mirë dhe pse mos të përsërisim historinë dhe pse jo edhe të bëjmë më shumë dhe të futemi në grupe.“

Ardian Nuhiu: “Për mua si trajner të gjithë futbollistët që kemi janë titullar, por nuk diskutohet se në kokë e kemi të qartë se cilët futbollistë do të startojnë. Kemi pasur plotë 40 ditë për të analizuar kundërshtarin apo edhe për të parë skuadrën tonë. Personalisht jam shumë i kënaqur me futbollistët që kam gjetur në skuadër, futbollistë shumë cilësorë dhe me shumë personalitet. Gjithashtu edhe prurjet e reja janë pritur shumë mirë dhe tjerët u’a kanë lehtësuar adaptimin. Mendoj se gradualisht skuadra po ndërtohet, kombinohet dhe lidhen lojtarët mes veti. Ne e dimë se futbolli është proces dhe e don kohën e vet, por për këto 40 ditë mendoj se kemi punuar mjaftueshëm dhe e shof një skuadër kompakte.“


SHPËRNDAJE

TË NGJASHME