Kërkohet fitore për start të mbarë

No image

Shkëndija të dielën në Tetovë përballet me Sileksin në xhiron e parë të gjysmëstinorit pranveror, e 19-ta në tërësi e këtij sezoni. Kundërshtari nga Kratova meriton respekt, mirëpo djemtë ‘kuqezi’ duken të etshëm për të nisur me tre pikë pjesën pranverore të kësaj kampanje. Ndeshja fillon në orën 14:00.

 

Përgatitjet, testet, transferimet dhe pritja kanë marrë fund, pasi të dielën nis pjesa zyrtare e garimit, ku skuadra duhet të reflektojë gjithë potencialin konform kualitetit, punës dhe ambicieve. Shkëndija përballë Sileksit në Tetovë do të nisë garat në elitën e futbollit vendor, ku skuadra ‘kuqezi’ ka pretendime të qarta për titullin e kampionit. Ekipi ka lënë pas përgatitje cilësore të nisura në Tetovë, e të vazhduara në Antalia të Turqisë ku mes tjerash u zhvilluan edhe disa ndeshje kontrolluese. Trajneri i ri Tomas Brdariç ka patur kohën e mjaftueshme për tu njohur detajisht me potencialin e ekipit, njëjetë si përforcimet për tu akomoduar në ambientin e ri. Janë provuar gjithë lojtarët dhe disa sisteme loje, ndërsa tani më stafi teknik ka të qartë formacionin me të cilin do të nisë përballjen e parë zyrtare në vitin 2017. Për shkak të pesë kartonave të verdhë nuk do të ketë të drejtë loje Stenio Zhunior, ndërsa nga lëndimi vazhdojnë të rekuperohen Stefan Vujçiç dhe Artim Pollozhani që gjithashtu humbin këtë ndeshje.

Fotogaleria e plotë

Skuadra një ditë para ndeshjes është stërvitur në stadiumin e qytetit për të provuar fushën ku do të luhet ndeshja. Atmosfera në skuadër është në nivel, futbollistët duken të etshëm për të nisur sezonin në mënyrën më të mirë, ndërsa vlerësohet shumë e rëndësishme mbështetja nga tribunat që si gjithmonë pritet të mos mungojë.

Përballja Shkëndija-Sileksi luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë, me fillim në orën 14:00.