INTERVISTA | Jeton Beqiri flet si trajner i Shkëndijës

No image

Shefi i ri i stafit teknik i kuqezinjëve në prononcimin e tij të parë pas firmosjes së kontratës 1.5 vjeçare ka folur me besim për bashkëpunim të suksesshëm në periudhën që pason. Duke vlerësuar besimin e drejtuesve, Beqiri me bindje thotë se ekipi nën drejtimin e tij do të punojë shumë seriozisht në kërkim të performansave të denja në raport me ambiciet dhe pritjet. 

pas 6-7 viteve kthim te Shkëndija…

Jeton Beqiri: “Normalisht të jesh trajner i Shkëndijës është privilegj dhe kënaqësi shumë e madhe, por në të njejtën kohë është edhe përgjegjësi dhe një sfidë e imja personale. Për këtë pjesë dua të falenderoj kryesinë e klubit dhe pronarët për besimin e dhënë, duke shpresuar që në fund edhe rezultatet të na japin të drejtë dhe të jemi ekipi që do jetë shumë dominues dhe një skuadër që do të prodhojë paraqitje të mira në pranverë.”

…Të gjithë shkojnë drejt Arabisë, çka të bindi të braktisësh këtë vend?…

Jeton Beqiri: Dihet se kam qenë me kushte komode atje, megjithatë ftesa nga Shkëndija për mua përfaqëson krejtësisht diçka tjetër. Gjatë një viti e gjysmë atje unë kam pasur edhe oferta tjera, kryesisht nga Shqipëria, Kosova edhe këtu nga Maqedonia. Por, asnjëherë nuk e kam menduar rikthimin për një skuadër tjetër, përveç skuadrës së Shkëndijës. Edhe pikat kontraktuale që kisha atje, i kisha të lidhura pikërisht me këtë. Tani erdhi momenti që të bashkohemi përsëri dhe shpresoj të jetë e suksesshme.”

…Si do luajë Shkëndija me Jeton Beqirin?…

Jeton Beqiri: “Unë mendoj se nuk është koha e premtimeve, por është koha kur ne duhet të punojmë shumë, t’i përvishemi punës dhe të angazhohemi maksimalisht me qëllimin e vetëm që të kemi edhe mbështetjen e tifozëve në përgjithësi, e veçanërisht grupit të mrekullueshëm si që janë “Ballistët”. Unë mendoj se me punën që do të bëjmë bashkë me futbollistët në fushë, duhet të meritojmë mbështetjen e tifozëve. Ata në situata të vështira gjithmonë e kanë treguar se janë suport i madh për Shkëndijën. Jam i mendimit se çdo futbollist duhet të jetë i vetëdijshëm se çfarë fanelle përfaqëson dhe nuk duhet që asnjë lojtar të pretendojë të jetojë me emrin që ka krijuar në futboll. Shkëndija është klub i madh dhe këtu gjithmonë duhet të rikonfirmosh veten. Me një fjalë dua të them se presim një Shkëndijë që në aspekt futbollistik do të jetë sulmuese, në momente të veçanta më ofenzive se sa normalja  dhe gjithashtu jam shumë i vetëdijshëm se nuk do të jetë aspak situatë e lehtë për shkak edhe të pozitës momentale në renditje. Por ne jemi ekip i madh. Asgjë nuk është e pamundur, janë në lojë edhe 15 ndeshje dhe 45 pikë. Këto mesazhe do t’ua përcjell edhe futbollistëve dhe pres ata të jenë shumë të motivuar për të punuar shumë. Tek e fundit, Shkëndija është ekip shumë i organizuar, në merkato do vinë edhe futbollistë të ri dhe unë shpresoj të bëhet konkurencë e mirë dhe pastaj çdo futbollist që do ta meritojë fanellën e Shkëndijës do të jenë në formacion, tjerët do të presin situata tjera.”

…Fiton Shkëndija titullin kampion?…

Jeton Beqiri: “Unë mendoj se ekzistojnë të gjitha mundësitë që tre skuadrat e kreut, veçanërisht Shkëndija ta fitojë titullin kampion. Megjithate duhet të jem shumë i rezervuar dhe i matur, për shkak se detyra jonë kryesore është të bëjmë një punë të madhe gjatë fazës përgatitore dhe ndeshjeve kontrolluese. Unë kam shumë besim se në qoftë se Shkëndija do jetë skuadra e cila dua unë në aspektin e lojës dhe në aspektin që ne bashkë me stafin do ndërtojmë një Shkëndijës sulmuese, agresive, por edhe shumë e përgjegjshme në aspektin taktik, besoj se do të kemi shanse të mira që në fund të kampionatit të përfundojmë në vendin e parë.”

Share Now

Related Post