Faleminderit diasporë, krenarë që Shkëndija na bashkoi në Wil

No image

Miqësorja Wil-Shkëndija në Zvicër e fituar 3:1 nga kuqezinjtë do të mbetet pjesë e bukur e historisë sonë, duke parë praninë shumë të madhe të atdhetarëve tanë nga diaspora.

E bëmë Zvicrën të duket si Shqipëri dhe arsyeja e spektaklit quhej Shkëndijë. Mbrëmje fantastike rezultoi ajo e të shtunës në qytetin e Wil-it, ku miqësorja FC Wil-Shkëndija (1:3) u përcoll nga program i pasur kulturo-artistik e me një shikueshmëri rekorde për stadiumin “Lidl Arena”. 

E shtuna e 9 shtatorit ishte diçka madhështore për klubin dhe shqiptarët. Natyrisht, kemi respektuar gëzimin e euforinë që sjellin sukseset e kombëtares shqiptare, ndeshja Kosovë-Zvicër e dueli Maqedoni-Itali, prandaj po shkruajmë dy ditë pasi shijuam mbrëmjen fantastike në qytetin e Wilit. 

KF Shkëndija dhe familja e madhe kuqezi ndjehet jashtëzakonisht krenare për kujdesin e mbështetjen që mori në Zvicër. Mijëra shqiptarë nga gjitha qytetet zvicerane e rrethinë vërshuan drejt Wilit, duke e shndërruar në festë mbërritjen e Shkëndijës në vendin helvet. Tradita, kultura, sporti, arti e mikëpritja dhe bujaria u gërshetuan në stadiumin “Lidl Arena” në një organizim model që ngren lartë imazhin tonë kombëtarë. Nga FC Wil zyrtarisht kanë konfirmuar se me 4 953 bileta të shitura është vendosur rekord i ri i spektatorëve të pranishëm në këtë stadium dhe ky fakt rrit ndjenjën tonë të krenarisë.

Grupi “Elita 5” e Shoqëria Kulturo Artistike “Xheladin Zeqiri” shtuan praninë tetovare në eventin e organizuar me Shkëndijën për diasporën tonë, ndërsa duke shfaqur traditën për mundjen tradcionale e njohur në popull si sporti i “pelivanëve” ngjarja do të madhështohej me praninë e Kampionit Olimpik, Shaban Tërstena. 

Pronari i KF Shkëndija, z. Lazim Destani nuk ka fshehur kënaqësinë dhe mirënjohjen e tij për gjithë organizimin e bërë. 

KF Shkëndija së shpejti përmes një video-materiali do të prezantojë eventin madhështor në Wil për gjithë ata që nuk kanë mundur të ndjekin organizimin e zhvilluar në Zvicër.

Me këtë rast, KF Shkëndija falenderon një nga një secilin bashkëkombas që erdhi për të na respektuar në Wil, faleminderit gjithë atyre që morën pjesë në mënyra të ndryshme në këtë organizim, ndërsa respekt dhe mirënjohje maksimale për imamin e Xhamisë së Wil-it, Bekim Alimin dhe anëtarin e kryesisë së FC Wil, Faton Ramadani për idenë, iniciativën dhe angazhimin e tyre për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij eventi të shkëlqyeshëm.

Faleminderit të gjithëve, faleminderit diasporë. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME