Buba mposht Bufonin

No image

Kapiteni ‘kuqezi’ ka shkëlqyer edhe një herë në Shkup, duke arriur të mposht njërin prej portierëve më të mirë në botë Xhanluixhi Bufon në humbjen 2:3 të Maqedonisë. 

Maqedonia është mundur me rezultat minimal 2:3 nga Italia në ndeshjen e kualifikimeve për Kampionatin Botëror ‘Rusi 2018’, ndërsa dy futbollistë të Shkëndijës Ferhan Hasani dhe Besart Ibraimi kanë qenë ndër më të mirët në fushë, ndërsa portieri Kostandin Zahov ishte në pankinë. Kapiteni ‘kuqezi’ njëjtë si në ndeshjen me Izraelin kur ishte ndër pikat më të mira të Maqedonisë, sërish ka qenë i shkëlqyeshëm në mesfushë, duke organizuar gjithë aksionet me të rrezikshme të vendasve. Maqedonia humbiste 0:1 nga pjesa e parë, Nestorovski në të dytën barazoi në 1:1, ndërsa në minutën e 59-të stadiumi shpërtheu në gëzim kur kapiteni i Shkëndijës, Ferhan ‘Buba’ Hasani mposht Xhianluxhi Bufonin e Italisë, duke i dhënë Maqedonisë epërsi 2:1. Më vonë italianët përmbysën gjithçka me Immobilen që shënoi dy herë për fitore 2:3 të miqve. Paraqitje pozitive edhe për Besart Ibraimin që u inkuadrua në lojë në fillim të pjesës së dytë dhe i dha gjallëri fazës sulmuese që shënoi dy herë, por në fund pësoi.

Përveç golit dhe lojës së shkëlqyeshme, ‘Buba’ u la shenjë edhe në minutën e 70-të kur thjesht çoi stadiumin në këmbë me një ‘seri’ lëvizjesh të bukura, duke ‘trullosur’ për një moment futbollistin e Lacios, Marko Parolo të cilit i’a kaloi topin mes këmbëve, para se më vonë mënyra e vetme për ta ndalur të ishte fauli.