Barazim pa gola përballë Dinamo Zagrebit

No image

Shkëndija ka barazuar pa gola përballë ekipit më të trofeshëm kroat, Dinamo Zagrebit, në takimin e tretë kontrolluese në fazën përgatitore në Antalia të Turqisë. Kuqezinjtë zhvilluan lojë të bukur me disa mundësi të mira shënimi, ndërsa Zahov në anën tjetër në fraksionin e dytë kishte seri pritjesh të bukura. Në pjesën e dytë debtuoi përforcimi i fundit i Shkëndijës, Visar Musliu.

Kjo përballje zgjoi interes të madh dhe u ndoq nga personalitete të njohura, mes të cilëve edhe presidentët e dy klubeve Visar Bexheti i Shkëndijës dhe Zdravko Mamiç i Dinamo Zagrebit.

 

Beleku i Antalisë sot përplasi në një ndeshje kontrolluese kampionët e vjeshtës të Maqedonisë dhe Kroacisë, Shkëndijën e Dinamo Zagrebin. Dueli u karakterizua me lojë të bukur dhe barazim 0:0, ndërsa në bazë të shanseve dy ekipeve u takoi nga një gjysmëlojë.

Në një pjesë të parë shumë pozitive dhe me futboll të hapur, Shkëndija për një nuansë ishte rival më i mirë në terren si në aspekt të epërsisë së lehtë në posedimin e topit ashtu edhe për rastet për të shënuar. Deri sa Dinamo kansojet më serioze i pati me goditje nga distanca, kuqezinjtë u gjetën disa herë në mundësi ideale para portës së kroatëve. Ibraimi në minutën e 32-të provoi me një predhë të fortë, që u ndal me vështirësi nga portieri kroat, Zagorac. Gjashtë minuta më vonë Ibraimi me asist të bukur nxjer të vetmuar para portës Hasanin, mirëpo goditja e kapitenit bllokohet nga portieri kundërshtar, ndërsa në vazhdim tentimi i Alimit pastrohet para vijës fatale. Mundësinë e fundit para pauzës e kishte Ibraimi që doli i vetmuar, mirëpo goditja shkoi vetëm skaj portës.

Pjesa e dytë nisi me debutim të përforcimit të fundit të Shkëndijës, Visar Musliut. Në terren domini i takoi Dinamos, që në minutën e 52-të u kanos me anë të Sudanit, mirëpo shpëton me intervenim të bukur. Kroatët vazhduan të dominojnë edhe për disa minuta, kur me disa pritje të bukura u dallua Zahov që mbajti aktiv rezultatin e fillimit. Si kalonte koha dy trajnerët kryen më shumë zëvendësime, duke bërë që të ketë rënie të tempos së lojës. Shkëndija mundte të fitojë ndeshjen në minutën e fundit kur Hasanit asiston për Eminin, goditja me kokë e të cilit pastrohet nga vija fatale. Në fund ndeshja u mbyll pa gola, ndërsa me rezultatin në plan të dytë trajneri Osmani fitoi pasqyrë të qartë për nivelin momental të skuadrës që do të vijojë përgatitjet në Antalia deri më 4 shkurt.

 

 

SHKËNDIJA-DINAMO Z. 0:0 (0:0)
Belek, Antalia – Turqi
Golashënues: /
SHKËNDIJA: Zahov, Bejtullai, Alimi, Ibraimi, Hasani, Radeski, Murati, Junior, Teqja, Fazllagiç, Adili.
Luajtën edhe: Musliu, Todorovski, Emini, Bojku, Rexhepi, Shefiti dhe Totre.
Trajner: Qatip Osmani