Ardian Nuhiu: “Më bindi projekti për ndërtimin e një ekipi të fuqishëm”

No image

Shkëndija synon të kthejë primatin e më të mirit në futbollin e Maqedonisë së Veriut dhe këtë rrugë është vendosur ta ecim me Ardian Nuhiun në bankinë. Trajneri shkupjan me tituj në Kosovë është zyrtarizuar sot si shef i stafit teknik të ekipit kuqezi. Nuhiu praktikisht kthehet në klubin ku në vitin 2011 si futbollist fitoi titullin e kampionit, për herë të parë ne fanellën e Shkëndijës. Tekniku 44 vjeçarë veshi fanellën e Shkëndijës edhe në vjeshtën e vitit 2013, si pjesë e skuadrës së parë që ndërtoi kryesia prej hyrjes së kompanisë Ecolog në ekip. 

Ardian Nuhiu: “Realisht e njoh shumë mirë ambientin, skuadrën dhe personalisht ndjehem shumë mirë që jam këtu. Në radhë të parë dua të falemenderoj drejtuesit për mundësinë që po më japin. Nëse si futbollist arrita që vitin e parë të fitojmë titull, atëherë edhe projekti të cilin e kemi shpalosur këto ditë që kemi biseduar me drejtuesit ka qenë realisht bindës. Për ne trajnerët ndonjëherë është e nevojshme të marrim pak pushim për të grumbulluar energji të reja. Po prisja një skuadër e cila ka ambicie, synon kreun dhe personalisht jam gati për këtë sfidë të re.

Beson në projektin që ndërtohet?

Ardian Nuhiu: “Pa diskutim. Personalisht edhe në hyrjen e Ecologut në Shkëndijë në vitin 2013 kam qenë pjesë e klubit. Ambiciet apo synimet me këtë sponsor i kemi të qarta të gjithë. Arsyeja pse zgjodha Shkëndijën është po ajo, sepse synohet të kthehet Shkëndija që e njohin të gjithë. Unë personalisht me stafin drejtues, me kolegët e mi kemi qëllim të ndërtojmë një skuadër sepse pa diskutim ka futbollistë cilësorë të cilët do të vazhdojnë të jenë pjesë e skuadrës, por kemi biseduar me drejtuesit se duhet të reagohet në disa pozita, të marrim përforcime dhe thjesht të futemi në garë dhe të synojmë kreun e tabelës.”

Duke njohur ambientin, ke emocion që kthehesh këtu?

Ardian Nuhiu: “Personalisht sa mbaj mend shumë më parë kam dhënë një deklaratë se titullin që kam fituar me Shkëndijën nuk mund ta harroj asnjëherë, sepse atë që kanë dhuruar tifozët, spektakli në çdo ndeshje nuk ka munguar, apo festa që u bë në shesh ka qenë e jashtëzakonshme. Jam këtu për ta kthyer po atë Shkëndijë, të jemi të gjithë bashkë, të kthehet edhe tifozeria si që kanë mbështetur klubin gjithmonë, pasi kemi nevojë dhe ata janë shumë të rëndësishëm. Do të ndërtohet një skuadër shumë e fortë për të qenë gati në sfidat në Evropë, pastaj të futemi në kampionat. Nuk diskutohet, ndërtimi i skuadrës kërkon kohë dhe durim, të kemi durim të gjithë sepse vijnë lojtarë të ri, të kombinohen me futbollistët që do të jenë këtu. Gjithashtu idetë e trajnerëve apo derisa të shtrohet filozofia ime duhet të gjej format për ta përcjellë te skuadra. Sa më shpejtë të kalojmë këto faza dhe të performojmë në mënyrën e dëshiruar në fushë.”

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME