Almir Rexhepi: Na duhet fitore në Shtip, golin e parë nuk e harroj kurrë!

No image

Shkëndija hyn në sprintin final të kampionatit ku në 6-të ndeshjet e mbetura do të kërkojmë të kapim vendin e parë në renditjen tabelare. Skuadra duket se gjenë formën ideale në momentin e duhur dhe të shtunën drejt Shtipit udhëtojmë me ambicie për të vazhduar serinë e fitoreve që momentalisht prek numrin e 5 takimeve të njëpasnjëshme. 

Forma e mirë e skuadrës gëzon mbrojtësin e majtë Almir Rexhepi. 22 vjeçari i rritur në moshat e Shkëndijës u “kalit” në ekipe si Vëllazërimi, Gostivari e Besa e Dobërdollit, para se të kthehej në skuadër në merkaton e janarit. Fatkeqësisht një ditë para udhëtimit drejt Turqisë për përgatitjet dimërore pësoi lëndim që e detyroi të humbte fazën kryesore të përgatitjeve, e kjo ka bërë që mundësitë për të luajtur të jenë më të reduktuara. Gjithsesi, trajneri Osmani e ka aktivizuar në tre takime kampionale, ndërsa ndeshjen me Pobedën e nisi si titullar dhe paraqitjen pozitive e kurorëzoi me gol në fitoren 2:0. 

Ndeshjen me Pobedën nuk do ta harroj kurrë. Çdo lojtar që është rritur te Shkëndija ëndërron një ditë të luajë me ekipin e parë, ndërsa unë isha me fat që në takimin e parë si titullar munda të shënoj edhe gol. Se kisha menduar kurrë një rrjedhë të tillë të gjërave, sepse unë jam mbrojtës dhe shumë lojtarë nga ky repart kushedi sa është dashur të presin për të shënuar gol”, shprehet Almir Rexhepi, i cili më 2 prill kundër Pobedës shënoi për epërsi 1:0 në fitoren 2:0, ndërsa pasi realizoi nga një kënd shumë i vështirë nuk ka mundur të besojë se ai po i jepte Shkëndijës avantazhin.

Kundërshtari ishte mbyllur dhe duhej të sulmojmë edhe ne krahët e mbrojtjes. Realisht nuk e pranova si duhet atë asist të Çinarit duke mbyllur këndin e portës, mirëpo vendosa ta provoj dhe kur kam parë topin në rrjetë kam përjetuar ndjenjë të jashtëzakonshme. Nuk mund ta besoja, nuk kisha idenë edhe si të festoj sepse se kisha besuar se mund të ndodh! Bashkëlojtarët më përgëzonin, ndërsa unë kam mbyllur sytë dhe nuk e besoja atë që jetoja. Jam shumë i lumtur për këtë fakt dhe uroj të kemë mundësi ta ndihmoj ekipin akoma më shumë në të ardhmen”, thotë Rexhepi. 

Ne shikojmë para dhe të shtunën na pret ndeshje shumë e rëndësishme me një rival të papërshtatshëm. Bregallnica ka ekip të mirë dhe do na duhet shumë mund të marrim atë që duam. Pavarësisht respektit për kundërshtarin, personalisht besoj se nëse jemi në lartësinë e duhur, Shkëndija ka potencialin të del me tre pikë nga Shtipi”, përfundoi Almir Rexhepi

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME