Shkëndija do të luajë në eliminatoret e UEFA Europa League për sezonin garues 2020/2021, në bazë të renditjes tabelare të sezonit të ndërprerë në LPFM shkaku i pandemisë CoVid-19.
Për herë të shtatë me rradhë dhe të nëntë në përgjithësi, kuqezinjtë do të jenë pjesë e Kupave të Europës. Edhe pse sezoni garues 2019/2020 në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë nuk priti fundin shkaku i gjendjes së jashtëzakonshme në vend si pasojë e përhapjes së pandemisë me CoVid-19, renditja tabelare e momentit të ndërprerjes jep emrat e ekipeve që do të përfaqësojnë vendin në eliminatoret e Kupave të Europës. Kështu kuqezinjtë do të jenë pjesë e parakualifikimeve në UEFA Europa League, aty ku ekipi paraprakisht është paraqitur në tetë raste, madje në vitet 2016, 2017 dhe 2018 arrinte deri në fazën Play Off.