Shkëndija është ndalur me barazim 2:2 në derbin lokal me Renovën në xhiron e 9-të të Ligës së parë të futbollit të Maqedonisë. Në një ndeshje me kthesa kuqezinjtë avansuan me anë të Ibraimit, Stojanovski për dy minuta përmbysi gjithçka, ndërsa një pikë siguroi Bejtullai. Takimi nisi me një penalti të huqur nga Ibraimi, ndërsa i njejti futbollist në minutën e 22-të sjell epërsi 1:0. Humbja e koncentrimit në fazën defanzive për disa minuta në start të pjesës së dytë u kushtoi shumë kuqezinjëve, pasi kundërshtari shënoi dy gola të shpejtë me anë të Vllatko Stojanovskit. Fillimisht pasi fitoi vetë penalti pas një dueli me Bejtullain, sulmuesi i bardhekaltërve barazoi në 1:1, kurse me të nisur nga qendra i njejti futbollist ndëshkoi gabimin e Musliut dhe realizoi për 1:2. Tani Shkëndija duhej të ngjitet në një malore dhe skuadra u hodh e tëra në sulm, ndërsa loja defanzive dhe pak e ashpër e kundërshtarit solli karton të kuq (kartoni i dytë i verdhë) për Fisnik Zukën në minutën e 66-të. Në kushte kur sulmuesit nuk arrinin të sjellin efekt, në skenë shfaqet mbrojtësi Egzon Bejtullai që me gol të mrekullueshëm dhjetë minuta para fundit barazon në 2:2. Deri në fund rezultuan të pasuksesshme tentimet për të gjetur golin e tretë, kështu që kuqezinjtë duhej të kënaqen me vetëm një pikë nga ky duel.
PJESA E PARË
Kuqezinjtë i’u afruan epërsisë pa kaluar një minutë e plotë kur Junior dhe Mici zhvillojnë aksion në të majtën, ndërsa tentimi i Ibraimit bllokohet në rivënie nga këndi. Shkëndija vazhdoi të dominojë dhe mundësi edhe më e mirë i shfaq në minutën e 11-të kur Ibraimi fiton penalti pasi ndalet me faul në zonë nga Fetai. Vetë numri ‘7’ ekzekuton goditjen nga njëmbëdhjetëmetërshi në mënyrë atraktive me stilin ‘Panenka’, mirëpo topi përplaset në traversë dhe kthehet në fushë. Renova tentoi të reagojë dhe në minutën e 17-të Alban Sulejmani godet ashpër nga një goditje dënimi anësore, ndërsa Zahov me ndihmën e traversës pasojnë rrezikun. Dominimi i kuqezinjëve solli ndryshimin e merituar në minutën e 22-të kur asisti i Micit gjen në zonë Ibraimin i cili me një të majtë të fortë zhbllokon rezultatin. Pak minuta më vonë Ibraimi me një të majtë nga distanca detyron të zgjatet mirë portierin Kobetiq për të shmangur golin e dytë. Kundërshtari vazhdonte të kërkojë të rrezikojë kryesisht me Alban Sulejmanin nga ndërprerjet, mirëpo pa shqetësuar më seriozisht portierin Zahov. Në vazhdim Stojanovski kishtë një tentim me kokë që shkoi mbi portë, ndërsa në anën tjetër bllokohet tentimi i Ibraimit për të gjetue Shefitin e vetmuar para portës. Dy minuta para pauzës Ibraimi lëshon një të djathtë të fortë nga gjuajtja e lirë por pak mbi portë, ndërsa pak më vonë Shefiti nuk shfrytëzon një rëmujë kur nuk gjen kuadrantin edhe pse kishte pozitë ideale në zonë.
PJESA E DYTË
Fraksioni i dytë nisi me një të majtë të Ibraimit brenda zonës por pa shqetësim për Kobetiqin. Pak më vonë sërish Ibraimi në aksion kur prodhon disa lëvizje të bukura në zonë, por vonon goditjen dhe lejon kundërshtarët të bllokojnë. Kuqezinjtë sikur humbën koncentrimin për pak minuta dhe kundërshtari e ndëshkoi këtë me dy gola të shpejtë. Në minutën e 53-të Bejtullai shkakton penalti ndaj Stojanovski me këtë të fundit që sjell simetri nga pika e bardhë. Me të nisur nga qendra Musliu gabon në pasim, ndërsa Stojanovski realizon për përmbysje dhe epërsi 2:1 të Renovës. Në anën tjetër shpejt shfaqet mundësi për barazim, mirëpo Ibraimi dhe Emini i pengojnë njëri tjetrit dhe Kobetiq pranon topin pa problem. Pak më vonë Emini godet skaj portës me kokë pas harkimit nga këndi. Renova mbeti me një futbollist në pak në fushë kur Zuka në minutën e 66-të u përjashtua me të kuq pas kartonit të dytë të verdhë, ndërsa bomba e Ibraimit nga gjuajtja e lirë pastrohet nga Kobetiq. Shkëndija luante në ofenzivë dhe në kushte kur sulmuesit nuk arrinin të ndryshojnë gjë, mbrojtësi Bejtullai vendosi të marrë gjërat në dorë duke sjellë dy bomba në harkun kohor prej dy minutave. Fillimisht Kobetiq ndali predhën e numrit ‘4’, ndërsa në të 80-ën nuk kishte shpëtim për portierin kundërshtar pasi topi ndalet në rrjetë për barazim 2:2. Deri në fund kuqezinjtë kishin tentime të pasuksesshme për të kthyer rezultatin kështu që dueli dha nga një pikë për të dyja skuadrat.
SHKËNDIJA-RENOVA 2:2 (1:0)
Stadiumi i qytetit në Tetovë
Shikues: 1 500
Arbitër: Dimitar Meçkarovski
Golashënues: Ibraimi 22′ dhe Bejtullai 80′ (Shkëndija), ndërsa Stojanovski 54’ pen. dhe 55′ (Renova)
Kartona të verdhë: Murati, Junior, Musliu, Alimi, Ibriami dhe Bejtullai (Shkëndija), ndërsa Silva, Stojanovski, Zuka 2, Sadiki dhe Nuhi (Renova)
Karton i kuq: Zuka 66′ (Renova)
SHKËNDIJA: Zahov, Mici, Bejtullai, Alimi, Musliu, Ibraimi, Totre, Murati (Nafiu 71′), Shefiti, Junior, Emini (Bojku 76′).
Trajner: Qatip Osmani
RENOVA: Kobetiq, Zuka, Silva (Gafuri 75′), Jusufi (Sadiki 64′), Nuhi, Ramadani, Sulejmani, Stojanovski (Abdulla 69′), Mishkovski, Fetai, Velija.
Udhëheqës i ekipit: Skender Jonuzi