Zyrtare: Shkëndija siguron edhe një sezon tjetër huazim Ennur Totren

No image

Kuqezinjtë kanë gjetur akord me ukrainasit e Vorskla Poltavas për huazim edhe një sezon tjetër të mesfushorit Ennur Totre.

KF Shkëndija me kënaqësi komunikon se mesfushori Ennur Totre do të jetë pjesë e kuqezinjëve edhe për sezonin garues 2023/2024. Totre luajti te Shkëndija si huazim 6 muajt e fundit dhe kontrata e vjetër skadoi mbrëmë (31.08.2023), ndërsa duke ditur dëshirën e klubit për ta mbajtur në skuadër tashmë një kohë zhvilloheshin negociata për tjetër marrëveshje. 

Bisedimet ndërmjet kryesisë, futbollistit dhe drejtuesve të Vorskla Poltavas janë mbyllur me zyrtarizimin e huazimit të ri një vjeçar. 26 vjeçari menjëherë ka firmosur me Shkëndijën deri 31.08.2024, derisa kontrata është federuar në organet e FFM-së dhe Totre ka të drejtë loje të shtunën kundër Shkupit në Tetovë. 

Shkëndija është shtëpia ime dhe për mua paraqet nder e krenari të luaj për këtë fanellë. Vlerësoj se kemi punë për të bërë, e duam klubin në nivele të larta ku ishim vite më parë, pse jo edhe më lartë dhe për këtë duhet shumë, shumë punë. E di, nuk do të jetë e lehtë, por me kënaqësi kam pranuar të jem këtu në këtë sezon të ri kur besoj se ne do të hedhim hapin e parë drejt ringritjes së Shkëndijës në kreun e futbollit vendorë”, shprehet Totre pasi firmosi kontratën e re për huazimin një vjeçar nga Vorskla te Shkëndija. 

Totre është rritur në shkollën e futbollit Shkëndija, ndërsa për ekipin e parë debutoi si 17-të vjeçar. Me Shkëndijën u paraqit në 7- sezone dhe ishte fitues i 3 titujve kampion e 2 trofeve të Kupës. Verën e vitit 2021 firmosi me Tiranën dhe në fund të sezonit u shpall kampion i Shqipërisë, pas çka u transferua në Ukrainë te Vorskla Poltava. Duke ditur situatën me luftën në Ukrainë, në janar të vitit 2023 erdhi si huazim te Shkëndija, ndërsa tani vazhdohet bashkëpunimi edhe për 12 muajt e ardhshëm. 

SHPËRNDAJE

TË NGJASHME